E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duke pritur Bamir Topin

TIRANE - Kur Bujar Leskaj, gjatë fushatës së tij për t’u zgjedhur deputet në 2005-ën, kishte mbledhur në takim disa tregtarë
vlonjatë, të cilëve iu kërkonte votën, këta ju përgjigjën: “Ne të kemi dhënë paratë kur ishe doganier a i vrarë, lere më votën që nuk diskutohet”. Ndodhia, në mos qoftë e vërtetë, është e goditur. Më pas, emri i ish doganierit, u shfaq ministër Arsimi dhe do mbahet mënd për dialektin e rëndë lab. “Ky derëzi, s’më qaset me shqipen e Naimit fare, sikur ja kanë çuar rrogën në fshatin ku lindi, e zbriti në qytet vetëm kur e bënë ministër”, – thoshte me qesëndi një shkrimtar kurveleshas i dëgjuar, në një ndër herët, kur Bujari dilte para kamerave. Kujtohet për iniciativën e vendosjes së bustit të Azem Hajdarit në Parkun Rinia, çka rrezikoi përplasje fizike të policisë së shtetit me bashkiaken, si dhe për diplomat e shumta, katër në mos gaboj, çka zgjon pikëpyetjen se ku e gjeti kohën. Por këtu përfundon ana komike e kandidatit dhe fillojnë problemet e Bamir Topit. Teknikisht, kandidaturat e propozuara për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit janë jo kompatibël me institucionin. Maxhoranca, pavarësisht se nuk shquhet për qibër në përzgjedhje, mjaft që këto ti shkojnë për hosh Berishës, në rastet në fjalë, ka të drejtën e kërkimit të profesionalizmit. Është kjo edhe një e drejtë e pritshmërisë së shqiptarëve për seriozitet në institucione. Në këndvështrimi politik, në rast se ky veprim, është një mënyrë për të armiqësuar kandidatët me maxhorancën, dhe për ti treguar, se në rast përplasje, do ti kafshojë vota në zonat nga kanë prejardhjen të propozuarit, është llogari e marrë lehtë. Asnjëri prej tyre nuk mund ti marrë vota PD-së. Secili prej tyre është një produkt i kësaj partie. Gjithë meritat personale, si ajo për ti ruajtur, vjedhur, apo shtuar votat, vjen nga përkatësia në PD. Me rënien e këtij suporti dhe prezantimin e tyre si kandidatë të pavarur apo të partisë së Topit, përkrahja do zerohet.
Duke imagjinuar të ardhmen politike të presidentit dhe konfiguracionin e ri që mund ti krijojë skenës politike shqiptare nisur edhe nga rasti i Ilir Metës, hamendësohet se Bamir Topi mund të jetë një Metë blu, që do gërryejë formacionin e Berishës. Por pavarësisht ngjashmërive siç janë fillesa e shizmës në fundmandatin e legjislaturës, apo afria e heretikëve me pozicionin që kanë pasur në parti, në thelb, janë dy fenomene të ndryshme.
Ilir Meta ishte mbi dy vjet kryeministër. Gjatë ushtrimit të detyrës përdori në mënyrë të paskrupullt atributet e postit, për të krijuar mbështetësit e tij. Në funksion të këtij qëllimi vuri resurset financiare të shtetit dhe shpërndau poste. Ai vetë nuk u sponsorizua nga ndokush, por ishte nga lloji i politikanit që bën veten, duke e zënë nga gaveta. Pavarësisht simpative, apo antipative që ngjall, Meta ka cilësitë e një udhëheqësi: nuk ka frikë përplasjen, qofshin këta eprorë a kundërshtarë; është makiavelik; e përdor paranë dhe pushtetin në funksion të partisë dhe karrierës së tij; ka instikt, nuhatje, përllogaritje të riskut, guximin për të hedhur zaret në ruletin e politikës. Të gjitha këto e bëjnë një makinë elektorale dhe rrjedhimisht faktor politik.
Në ndryshim nga Meta, Bamir Topi është një krijesë e vonë e PD dhe i sponsorizuar nga Berisha në ditët e këqija, kur i duhej një figurë e paqtë. Nuk e njeh mekanizmin partiak dhe rritjen në karrierë e ka fituar si mirësi të bamirësit të tij, se si rezultat i makinacioneve politike dhe peshës që ka tek e djathta. Është i ndrojtur në publik dhe i pa provuar në përplasjet e egra në baltovinën politike shqiptare. Në ndryshim nga Ilir Meta nuk ka nervin, inatin dhe moshën të formojë një parti nga e para, përkundrazi, ngjan i squllët. Nëse mendon të ndjekë shembullin italian, ku të investojë emrin e tij, në një të supozuar “Lista Topi”, siç kanë qenë “Lista Panella”, apo “Lista Segni”, duhet të kujtojë se eksperimente të tilla, nuk patën sukses në Itali, vend goxha më mendje hapur se elektorati shqiptar. Presidenca nuk i mundëson të krijojë mbështetje të gjerë. Dhënia e dekoratave është shumë pak për të formësuar një elektorat që ta faktorizojë.
Sa u takon deklaratave për shtyp të politikanëve të PD-së, mbi marrjen e votave nga e majta, nëse Topi bën parti, kjo është diçka që nuk e besojnë as ata vetë. Ai nuk është produkt i së majtës, nuk ka milituar kurrë në të dhe nuk është dashur asnjëherë nga ajo. Nëse partia e tij do marrë vota, këto do jenë të së djathtës, të elektoratit që njihet si pjesa autoktone në qytetet tradicionale të Shqipërisë, e prekur në pronë nga të ardhurit e zonave rurale. Por këta janë shumë pak për të ndikuar, edhe në një garë milimetrike si të sotmet.
Në analizë të fundit të gjithë politikanët e gjalluar nën hijen e Berishës, nuk kanë mundur ti heqin atij asnjë llokmë elektorat. Inteligjentë si Genc Ruli, karrieristë si Imami, apo simbole si Ceka nuk kanë arritur ti krijojnë probleme. Të gjithë planprishësit, e kuptuan dhe u kthyen tek Berisha. Ky i pranoi si garanci ndaj perëndimit se kishte ndryshuar dhe jo se sollën vota në koshin e tij në 2005-ën. Aq më pak mund ta dëmtojë PD-në, largimi i Topit, Topallit, Shehut, Leskajt, apo kushdo qoftë. Që të gjithë janë krijesa të Berishës të ngjashmit e të cilëve është në gjendje ti nxjerrë nga furra e PD-së, sa herë që i duhen. Taktika e Topit, për të përçarë apo frikësuar të djathtën me kandidatura provokative, qofshin prerje serioze apo humoristike, është rrugë që vështirë të japi rezultat elektoral. Por ngjan se e majta ka iluzione në ndarje të së djathtës, ndërsa Berishës, mosha, i ka shtuar frikërat. Po Topi vetë, ka iluzione, apo frikë?

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›