"Duke shtyrë një elefant" në Kolumbi
Taller Siete prezanton më 17 shtator 2009 ekspozitën personale "Duke shtyrë një elefant" të artistit shqiptar Fani Zguro, e cila do të çelet në Taller Siete në Kolumbi në datën 17 shtator. Zguro do të paraqitet në këtë ekspozitë me disa punime, mes të cilave "Zoti Dosti", që është një përmbledhje tekstesh të ndryshme si poezi, tregime, artikuj për artin bashkëkohor, shënime, refleksione, projekte kuratoriale, pjesë të shkëputura nga autorë të ndryshëm, përkthime etj. Këto tekste, të cilat nisin në vitin 1995, janë korrektuar dhe përshtatur në një vëllim të vetëm më 2006-ën. "Autoportret" është edhe një nga videot e para të Fani Zguros. Në këtë video ai kërkon të imitojë periudhën e fundit të Rembrandtit, gjatë së cilës piktori holandez në mungesë modelesh krijoi vetëm një cikël të gjatë autoportretesh. "Duke shtyrë një elefant" është xhiruar gjatë një udhëtimi natën me makinë. Përgjatë gjithë kohës telekamera përpiqet të fokusojë makinat e shumta, por në errësirë dhe në lëvizje të vazhdueshme objektivi arrin të fokusojë vetëm dritat e makinave, të cilat duket sikur vallëzojnë. Elefanti nuk ekziston realisht në video. Po ashtu, do të shfaqet në këtë ekspozitë edhe "Fije që priten", që është manipulimi i filmit shqiptar me të njëjtin titull nga regjisori Muharrem Fejzo.