E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helidon Xhixha, "I lehtë si çeliku"

Artisti shqiptar, Helidon Xhixha, do të ketë një takim të dyfishtë në Itali. Nga data 17 deri më 21 shtator ai do të jetë pjesëmarrës në "Artverona", ekspozitë e artit modern dhe bashkëkohor, ku do të paraqitet në galerinë "Spiralemiliane" me veprën e titulluar "Artetuvu", që është një dhomë ku ekspozohen punë të artistit. Ndërkaq, nga data 19 shtator deri më 16 tetor artisti do të propozojë për dashamirësit e artit ekspozitën e titulluar "I lehtë si një çelik", ku do të paraqitet me rreth 50 punime të shoqëruara me katalogun përkatës. Në Verona, Xhixha do të ketë vendin e nderit. Ai do të ekspozojë krah artistëve me emër si Vedova, Rotella, Spoerri, Warhol, Bonalumi. Ndërsa në ekspozitën e dytë, ai do të paraqitet me punime të dy viteve të fundit. Artisti Helidon Xhixha lindi në Durrës në vitin 1970. Pasi transferohet në Itali, në vitin 1998, ai fiton një bursë studimi, falë së cilës frekuenton për tre muaj Universitetin Kingston të Londrës, duke përmirësuar kështu teknikën e tij në skulpturë dhe fotografi. Në vitin 1999, diplomohet në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera, Milano. I njohur për stilin e tij, ai eksperimenton duke realizuar vepra në xham dhe skulptura në çelik inoks, një teknikë e re në këtë gjini. Veprat e tij kanë një rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›