200 vjet nga vizita në Shqipëri
Në Shqipëri mbërriti plot 200 vite më parë. Ai ishte Lord Bajroni, asokohe 21 vjeç. Nga Anglia e largët në vitin 1809 nisi një udhëtim që e solli deri në viset shqiptare. Sot paradite, mes të ftuarve, studiuesve të shumtë, do të mbahet një konferencë ndërkombëtare në kujtim të poetit britanik. "Bajroni dhe Ballkani" organizohet nga shoqata shqiptare e bajronistëve në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në ambientet e hotel "Tirana International". Mes të ftuarve nga vende të ndryshme të botës vjen edhe shkrimtarja holandeze Tessa de Loo, e cila është edhe autorja e vëllimit "Miq te Ali Pasha" (sjellë në shqip nga shtëpia botuese "Scanderbeg Books", libri do të promovohet më 17 shtator), një rrëfim udhëtimi në të cilin përmendet padyshim edhe qëndrimi i Lord Bajronit. E pikërisht për këtë temë do të referojë shkrimtarja holandeze, për miqësinë mes pashait të Janinës dhe poetit Lord Gordon Bajron. Takimi i sotëm i kushtohet pikërisht vizitës së parë të Bajronit në Shqipëri, kohës kur ai djaloshi që binte në sy për gëzimin, vrullin shpirtëror dhe temperamentin e zjarrtë, vizitoi dhe njohu shqiptarët. Aq u mahnit ai pas tokës shqiptare, sa në letrat që i dërgonte nënës nga Preveza, shkruante: "Nëna ime e dashur, ka ca kohë që ndodhem në Turqi: ky qytet është në bregdet, por kam udhëtuar thellë në principatën e Shqipërisë për të vizituar pashanë. Lashë Maltën në luftanijen ‘Spider‘ më 21 shtator dhe brenda tetë ditësh arrita në Prevezë. Së këtejmi kam udhëtuar nja 150 milje gjer në Tepelenë, në pallatin veror të Naltësisë së tij, ku qëndrova tri ditë. Emri i Pashait është Ali dhe e mbajnë për burrë me zotësi të rralla: është sundimtar i gjithë Ilirisë së moçme, i Epirit dhe i një pjese të Maqedonisë. I biri, Veli Pasha, për të cilin më kanë dhënë letra, qeveris Morenë dhe ka ndikim të madh në Egjipt. Me një fjalë është një nga burrat më të fuqishëm në Perandorinë Otomane. Kur arrita në Janinë, në kryeqytetin e tij, pas një udhëtimi prej tri ditësh nëpër male, të një vendi me bukuri nga më piktoresket, mora vesh se Ali Pasha gjendej me ushtrinë e tij në Iliri...". Më tej ai vijon duke i shkruar nënës se kurrë nuk ka për ta harruar pamjen e mrekullueshme me të hyrë në Tepelenë në orën 5 ndajnatherë kur po perëndonte dielli. "Shqiptarët me petkun e tyre (me më të bukurin në botë; me fustanellë të gjatë të bardhë, tallaganë të qëndisur me ar me anteri e jelek kadifeje të kuqe të qëndisura me oje të arta), me jataganë e pisqollë të sërmët, tartarët me feste të gjata, turqit me qyrk të madh e turban, ushtarët togje-togje në qoshkun e madh të hapur në ballë të pallatit dhe skllevërit arapë në galeri të madhe, të gjatë me kuaj të vendosur në një qilar përposhtë, dyqind atllarë të shiluar dhe gati të sulen në çdo moment, kalorës duke sjellë e duke shpënë lajmet e ndryshme, daullet e mujezinët që thërrasin izanë nga minaretë e xhamive...". Ali Pasha i pat thënë ta shihte si baba dhe se ai vetë e quante birin e tij. Mikpritja dhe dashamirësia e shqiptarëve nuk kishte si të mos i bënte përshtypje të riut anglez. Prej këtij udhëtimi interesant dhe të vlefshëm për të, ai ngjizi edhe ditarin e famshëm në vargje, të cilin e titulloi "Shtegtimi i Çajld Haroldit", një botim që e bëri Shqipërinë të njohur në të gjithë botën e qytetëruar. Po aq sa e bëri të njohur edhe kostumi tradicional shqiptar, të cilin e mori gjatë vizitës së tij në Shqipërinë e Jugut. Pikërisht falë bukurisë dhe veçantisë së këtij kostumi, në verën e vitit 1813, pas kthimit në vendlindje, piktori Tomas Filips realizoi portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar. Portreti titullohet "Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian" ("Portret i një fisniku me veshje shqiptare") dhe paraqet Bajronin me një veshje ku ndërthuren e purpurta dhe e arta e jelekut me vizat gri e blu të një turbani që i përngjan më shumë një shalli; e bardha e këmishës dhe e fustanellës me të zezën e kadifenjtë të një xhakete. Ai mban në duar një jatagan, i cili ka një këllëf të purpurt e të argjendtë. "Kam disa petka shqiptare madhështore, e vetmja plaçkë e shtrenjtë në këtë vend", vijon më tej Bajroni në letrën drejtuar nënës. Dhe më tej, në shënimet e tij shkruan për shqiptarët "nga sa kam parë me sytë e mi nuk mund veçse të flas mirë për ta". Dhe "Bijtë e shqipes" kanë zgjedhur të mos e kalojnë në heshtje këtë 200-vjetor të vizitës së këtij dashamirësi në Shqipëri. E po me këtë rast, këto kohë pritet të shfaqet edhe dokumentari "The scandalous adventures of Lord Byron", (Aventurat skandaloze të Lord Bajronit") i prodhuar nga televizioni anglez "Channel 4" me pjesëmarrjen e aktorit të mirënjohur Rupert Everett. Për të përkujtuar 200-vjetorin e udhëtimeve legjendare të Lord Bajronit rreth Europës dhe Mesdheut, Rupert Everett ka ndjekur gjurmët e tij. Duke qenë se ky lord anglez ka qenë edhe në vendin tonë, ekipi realizues i dokumentarit ka vizituar edhe Shqipërinë. Janë gjurmët e poetit romantik në një përpjekje për të kuptuar njeriun, të cilin jeta rebele seksuale, talenti i madh letrar dhe pamja mjaft e hijshme, e bënë figurën e parë dhe njeriun më të famshëm e modern të Britanisë. Shqipëria zë një vend të rëndësishëm në këtë dokumentar. Në këtë aventurë aktori anglez pati përkrahjen e studiuesit Auron Tare. Dokumentari, i cili ndjek gjurmët e Lord Bajronit, u shfaq premierë në Angli në muajin korrik.