Dueli i mërzitshëm Steinmeier-Merkel
Edhe pse mendohej të ishte një debat i ndezur që do të ndiqej nga 20 milionë gjermanë, ai i djeshmi nga shumë prej tyre u konsiderua i mërzitshëm, pa pasion dhe pa fitues të qartë. Socialdemokrati Frank-Walter Steinmeier dhe kristianodemokratja Angela Merkel, dy kandidatët kryesorë në zgjedhjet e 27 shtatorit përballë njeri-tjetrit u treguan më të rezervuar se kurrë duke lënë të hapur sërish edhe mundësinë e vazhdimit të koalicionit. Edhe pse nuk kryeson në sondazhe, Steinmeier, sipas shumë analistëve, u tregua më agresiv se Merkel, ndonëse debati u karakterizua nga nota mërzie. Katër ishin temat kryesore për të cilën folën dy rivalët: ekonomia, çështja "Opel", programi bërthamor dhe nevoja për të vendosur kufizime në pagesat e menaxherëve të bankave. Në të gjitha këto raste kandidati i SPD (Partia Social Demokrate) dhe ministri i Punëve të Jashtme, ka tentuar ta vërë kancelaren Merkel me shpatulla pas murit. Në veçanti, për rastin e gjigantit të prodhimit të makinave, të shpëtuar me paratë publike, ka paralajmëruar: "Imagjinoni sikur në qeveri të kishte pasur një aleancë demokristiane-liberale, në vend të një aleance me SPD, atëherë ‘Opeli‘ do të kishte vdekur". Kancelarja Merkel, 55 vjeçe, po bën fushatë elektorale me objektivin për të qenë në pushtet edhe disa vjet të tjera, por kësaj here me një koalicion CDU-FDP, duke braktisur koalicionin e madh me socialdemokratët. Një prej çështje ku Steinmeier, 53 vjeç, ka sulmuar Merkelin, ka qenë ajo e pagesave të bankierëve. Ai i ka kërkuar asaj "jo më rregulla të thjeshta ndërkombëtare, por kufizime të vërteta ndaj rrogave të tyre". "Nëse më kujtohet mirë CDU dhe FDP kanë marrë donacione nga kompani dhe banka për një shumë prej 3 milionë dollarësh, ndërsa SPD për 200 mijë euro". Në fushën bërthamore, SPD kërkoi konfirmimin e objektivit për mbylljen e centraleve bërthamore brenda vitit 2020. Nga ana tjetër, Merkel iu përgjigj se objektivi i saj është të përdorë energjinë bërthamore vetëm si "një urë në pritje që energjia e rinovueshme të jetë e përdorshme kudo në mënyrë që të lejohet mbyllja e centraleve bërthamore". Steinmeier ka kritikuar edhe premtimin e CDU për të ulur taksat sapo të vijë në pushtet me FDP-në. "Është një çështje besueshmërie, duke parë rritjen e borxhit për shkak të krizës ekonomike", tha ai. Duke sulmuar ministrin e saj të Jashtëm Merkel u përgjigj: "Duhet të vendosim nëse do qëndrojmë duarkryq dhe të jemi të pranishëm në një rënie të vazhdueshme të të ardhurave apo në mënyrë paradoksale do të ndihmojmë rritjen, duke reduktuar disa taksa për të motivuar punëtorët. Dje në mbrëmje, shumë vëzhgues kanë deklaruar se debati, që zgjati 90 minuta dhe është i vetmi i parashikuar për këtë fushatë elektorale, ishte i mërzitshëm . "Fitoi Steinmeier sepse arriti të tregojë diferencat mes CDU dhe SPD", thanë disa politologë gjermanë. Për shumë të tjerë, kjo betejë përfundoi në barazim, edhe pse ministri i Jashtëm u tregua më i sigurt në ato çka tha. Analistët mendojnë se rezultatet forcojnë mundësinë e rikthimit të një koalicioni të madh.