E Diel, 1 Nëntor 2026

Dule: Duhet një kompromis Berisha-Rama

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, tregon për "Shqip" arsyet pse nuk e ka bojkotuar Kuvendin dhe ka vendosur të jetë aktualisht opozitari i vetëm në sallën e Parlamentit. Dule fton Berishën dhe Ramën të bëjnë një kompromis në emër të integrimit dhe çuarjes para të reformave në vend.

Zoti Dule, ju jeni deputeti i vetëm që përfaqësoni opozitën aktualisht në Kuvend. Sa do t‘ia arrini ju për të bërë i vetëm opozitën përballë 74 deputetëve të mazhorancës?

Sigurisht që nuk mund të marr përsipër të përfaqësoj askënd veç asaj pjese të elektoratit, shoqërisë dhe qytetarëve që më kanë besuar përfaqësimin dhe Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Në demokraci nuk kanë rëndësi nga këndvështrimi kualitativ numrat, por rëndësi kanë alternativat, kanë platformat politike. Është oferta që një forcë politike i bën shoqërisë dhe rrjedhimisht nuk mund të shikohet ndryshe kur këndvështrimi i raporteve numerike në Parlament është i çuditshëm. Përfaqësimi im në Parlament do të jetë si në kushte normale. Nuk mund dhe nuk duhet të ndikohemi as nga qëndrimi i mazhorancës dhe as nga qëndrimi i opozitës mazhoracë. Ne jemi Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, unë jam deputet i Qarkut të Vlorës dhe kjo është njësoj sikur brenda në Parlament të ishte edhe PS-ja.

Në fakt, PBDNJ-ja është në koalicion me PS-në, ndërkohë që kjo e fundit vendosi bojkotin, ju vendosët të hynit në Kuvend. Pse kjo mospërputhje brenda koalicionit të së majtës?

Bashkëpunuam. Ishim në koalicion parazgjedhor me objektiva të qarta, ndajmë të njëjtat shqetësime, preokupime në lidhje me procesin zgjedhor dhe demokracinë në vend, por kjo nuk mund të eklipsojë faktin se jemi dy forca të ndryshme politike. Secila ruan profilin e vet, identitetin e vet, ka taktikat e veta të të ushtruarit të politikës.

Zoti Dule, a keni pasur bashkëbisedim me kreun e PS-së, Edi Rama, për sa i takon vendimit tuaj kundër bojkotit?

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është një parti sovrane në vendimmarrjen e vet dhe ju besoj se e keni ndjekur në vazhdimësi këtë gjë si kur PBDNJ-ja ka qenë në koalicion me të djathtën ashtu edhe me të majtën. PBDNJ-ja ka një refleks shumë të fuqishëm dhe instiktiv në ruajtjen e identitetit edhe në momentet e këtyre bashkëpunimeve. Rrjedhimisht nuk ka hapësirë për ndikim në vendimmarrjen e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Megjithëse jemi një zë i vetëm në Kuvend, gjithsesi kjo nuk është pak, po ta krahasojmë me forcat e tjera politike.

Cilat do të jenë objektivat që PBDNJ-ja do të synojë gjatë këtyre katër viteve në Kuvend?

Objektivat janë të vetëpërcaktuara. Shqipëria është në një proces, në atë të Integrimit në Bashkimin Europian. Ky proces ka stacionet e veta, ka objektivat dhe reformat që duhet të realizohen në çdo aspekt dhe në çdo moment. Ajo çka PBDNJ-ja do të përpiqet në këtë kuadër të realizojë, është që t‘i kujtojë vetë klasës politike detyrat që kemi në çdo moment, konsekuencat që duhet të tregojmë dhe përkushtimin në realizimin e këtyre objektivave. Integrimi në Bashkimin Europian nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në një slogan pa përmbajtje, por duhet të jetë vetë thelbi dhe përmbajtja e jetës politike të vendit. Duhet të ndërgjegjësohemi të gjithë. Ky është një shans historik, rruga na është hapur. Jo të gjitha vendet e kanë pasur në shkallën që e gëzojmë ne ‘zemërgjerësinë‘ e komunitetit europian. Rrjedhimisht duhet të jemi konsekuent me veten, me detyrimet që kemi dhe në çdo moment të veprojmë jo me interesin e vogël mikropartiak, por për interesin e vendit dhe shoqërisë në procesin integrues. Është një rrugë e gjatë, është një rrugë që kërkon reforma të thella, shpeshherë me pasoja anësore sociale dhe që kërkojnë vizion. Këto reforma të thella paralelisht i gërshetojmë me politika sociale dhe mbi të gjitha kërkohen konsensuse dhe kompromise historike shoqërore. Rrjedhimisht ne jemi përpara kësaj sfide me një mangësi jetike që është mungesa e konsensusit, kompromisit dhe bashkëpunimit të klasës politike. Klasa politike është e fragmatizuar në qëllimet e veta në një element madhor, i cili është themeli i shtetit të së drejtës dhe sistemi demokratik i votës. Rrjedhimisht nuk duhet në këto momente as entuziazmi dhe optimizmi shpeshherë i shtirur i mazhorancës, por as dogmatizmi i tepruar i opozitës. Duhen hapa racionalë. Duhet ai që do të mund ta quajmë kompromis historik, i cili qëndron mbi partitë apo mbi mandatin e deputetit dhe mbi qeveritë e ditëve.

Zoti Dule, ju e njihni shumë mirë Kryeministrin Sali Berisha, pasi keni bashkëpunuar katër vitet e mëparshme. Duke marrë në konsideratë këtë, mund të na thoni se sa jetëgjatë do të jetë ‘bashkëjetesa‘ Berisha-Meta? A do të zgjasë ky bashkëpunim ashtu siç tha edhe Kryeministri deri më 2021-n?

Nuk e kemi në traditën tonë që të ndërhyjmë qoftë edhe në vlerësime në qëndrimet politike të forcave të tjera politike. Ajo çka na intereson është produkti i këtyre bashkëpunimeve dhe në momentin që flasim është programi i qeverisë. Një vështrim i parë nga ana ime e këtij programi na çon në konkluzionin se ka më shumë slogan dhe festivitet se sa analizë dhe objektiva. Shqipëria nuk ka nevojë për një teorikë të tepruar në këto momente. Rrotën nuk do ta zbulojmë ne tani, e ka zbuluar njerëzimi, ne na mbetet për ta përdorur në favorin tonë maksimalisht. Rrjedhimisht si do ta përshpejtojmë realizimin e ëndrrës së shqiptarëve në hapësirën Shengen, kush është përgjegjësi, çfarë duhet të realizojë dhe kur do ta realizojë, nuk e dëgjuam. Ne duam një Shqipëri me vizion dhe duam shqiptarë të barabartë në komunitetin europian. Por kjo nuk na u tha. Cila është e ardhura për frymë sot për qytetarin shqiptar, cili është raporti i kësaj të ardhure me të ardhurën mesatare të qytetarit të Europës së 27 vendeve dhe çfarë masash duhet të marrë qeveria që ta fusë në një rrjedhë ngushtimi dinamik dhe përafrimi të vazhdueshëm në mënyrë që qytetari shqiptar të ndihet i barabartë me qytetarin grek, italian apo të një vendi tjetër të BE-së. Vërtet që të gjithë duan atë që ngriti me të madhe Kryeministri, të përgjysmohet distanca e mbërritjes në kryeqytet nga të gjitha skajet e vendit. Të gjithë duam që zonat rurale të kenë infrastrukturën e tyre, por ekonomistët përdorin një term "The economy is stupid". Nuk na u fol sot për ekonominë reale, nuk na u fol për të dhënat makroekonomike, nuk na u fol si do ta arrijë vendi realizimin e këtyre objektivave që janë jetësore për qytetarin shqiptar. Nga ana tjetër, nuk mund t‘i përgjigjet një shoqëri këtyre sfidave dhe aq më tepër në një politikë të fragmatizuar siç jemi ne pa mbështetjen e shoqërisë civile. Me këtë prezantim disaorësh të Kryeministrit në Parlament nuk e dëgjova njëherë termin shoqëri civile. Nuk mund të ndodhin këto ndryshime, janë shumë më të mëdha se sa i kemi konceptuar ne deri tani, kërkojnë një vizion shumë më të gjerë dhe kërkojnë një ripërshtatje të konfrontimit të këtyre politikave.

Pra, me këtë që po thoni, mendoni se dyshja Meta-Berisha nuk ka për të qenë e suksesshme për integrimin e Shqipërisë në BE?

Do të isha qytetari i fundit i vendit që do të uroja që qeveria e vendit tim të mos kishte sukses. Të gjithë duhet të kontribuojmë me mënyrën tonë që të prioritarizohen objektivat dhe të gjenden taktikat më të efektshme që i mungojnë kësaj qeverie.

Në fakt, gjatë prezantimit të qeverisë, Kryeministri Berisha la të kuptohet që do të ketë një tjetër riformatim të kabinetit. A do të bashkoheni në një moment të dytë në qeveri?

PBDNJ-ja nuk është parti që ka dogmatizimin në filozofinë e vet. Kemi bashkëpunuar, por gjithmonë duke mbetur PBDNJ-ja, si me PS-në në qeverinë e kryesuar nga Nano, Meta dhe Majko. Kemi bashkëpunuar gjithashtu edhe me zotin Berisha dhe kemi insistuar që të mbetemi Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Bashkëpunuam me zotin Edi Rama përpara zgjedhjeve të 28 qershorit. Është në thelbin e aktivitetit tonë politik dialogu dhe bashkëpunimi. Me PD-në ne bashkëqeverisëm për tre vjet e gjysmë dhe u larguam nga PD-ja për arsye konkrete.

Në fakt nuk janë thënë asnjëherë hapur këto arsye. Cilat janë ato zoti Dule?

Këto i di PBDNJ-ja, i di PD-ja, i janë bërë të ditura edhe opinionit publik nga qëndrimet tona. Nuk ka ato ndryshime cilësore që do të bënin të mundur rishqyrtimin e qëndrimit të PDBNJ-së. Nuk mund të di se çfarë mund të ndodhë pas një viti apo pas 2 vjetësh, por për ne ajo që është më e rëndësishmja do të thotë se edhe në kushtet aktuale të ndarjes së politikës me zgjedhjet e 28 qershorit ne mendojmë se ekziston hapësira për atë kompromis të madh dhe historik që përmendëm pak më lart. Për hir të interesave madhore që nuk janë të tjera, përveç integrimit. Për të arritur në një kompromis, i cili mund të përmbajë të gjithë transparencën e zgjedhjeve, ndërhyrjen në kuadrin ligjor, për hir të interesave të vendit. Këto janë momente të vështira dhe momentet e vështira kërkojnë vendime të guximshme, të cilat mund t‘i marrin politikanët e mëdhenj. Berisha dhe Rama mund të provojnë përpara historisë se janë politikanë të mëdhenj që neglizhuan interesin partiak të ditës.

Do të flasim pak për përbërjen e qeverisë, pasi shohim në kabinet një ministër që dikur ka qenë ish-prefekt i Gjirokastrës nën siglën e PBDNJ-së. Mendoni se kjo është një strategji e gjetur e Kryeministrit Berisha për t‘u ‘mbyllur‘ gojën ndërkombëtarëve, duke thënë se unë kam në kabinet një ministër minoritar?

Unë nuk mund të di, nuk mund t‘i njoh prapamendimet e lëvizjeve të ndryshme politike. Ajo çka njoh shumë mirë dhe mund ta shpreh qartësisht është se pavarësisht rolit të PBDNJ si forcë politike në pozitë apo opozitë, ne jemi të qëndrimit se minoritetet duhet të përfaqësohen jo si një element dekorativ dhe përfaqësimi që u jepet minoriteteve të mos u jepet si shpërblim të shërbimeve të caktuara politike apo të mos përdoret përfaqësimi për profelitizëm partiak. Ai duhet të jetë një përfaqësim thelbësor dhe funksional, nuk mund të harrojë minoriteti etnik grek dhe komuniteti vllah, atë që u ndodhi më 28 qershor, për faktin se PBDNJ-ja ndryshoi qëndrim politik dhe për faktin se ata duke mos iu nënshtruar presionit për të braktisur forcën e tyre politike humbën vendin e tyre të punës në mënyrë kolektive. Shumica prej tyre kishin edhe statusin e nëpunësit civil. A tregon kjo predispozicion për respektim të të drejtave të pjesëtarëve të minoritetit etnik grek për një përfaqësim thelbësor dhe funksional. Ne nuk jemi dyshues dhe skeptikë, por do të jemi shumë syçelët dhe do të ndihmojmë me eksperiencën tonë me pjesëtarët e komuniteteve; do jemi shumë kritikë në çdo tentativë që çon në rrugën e gabuar të konceptimit dhe aplikimit të politikave që përfaqësuesit e minoritet i cilësojnë si dekoratime politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›