Dule: “Kryeministri Berisha është pengesa e vetme që vendi nuk ka aderuar në BE”
Qeveria e kryeministrit Sali Berisha është pengesa kryesore që nuk jemi integruar në Europë. Një akuzë të tillë, kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, e ka hedhur gjatë fjalimit të radhës në protestën e sotme të opozitës para godinës së Kryeministrisë. “Na thonë se ne frenojmë liberalizimin e vizave dhe se mbyllim rrugët e integrimit tonë drejt Europës, por kjo nuk është aspak e vërtetë”, - tha Dule, duke shtuar se “opozita e do shoqërinë civile”. Ai kujtoi se para një viti BE-ja deklaroi se të gjitha vendet e rajonit do të udhëtojnë të lira pa viza në hapësirën europiane. “Kush e ka fajin që neve nuk na u dha kjo e drejtë?” - tha Dule.
Gjinushi: “Ka ardhur koha që Ilir Meta të largohet nga qeveria për të shpëtuar veten”
Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, i ka bërë thirrje numrit dy të qeverisë, Ilir Metës, që të largohet nga kjo qeveri për të shpëtuar veten. “Ilir Meta shkoi në qeverinë e Berishës gjoja për të shpëtuar kombin, por ka ardhur koha që ai të largohet prej saj që të shpëtojë veten”, - tha Gjinushi. Më tej ai i ka bërë thirrje edhe Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të reagojë në lidhje me zgjidhjen e situatës së rënduar politike në vend, pasi është koha që ai të mbrojë Kushtetutën e vendit.
Protestën që do të zhvillohet ditën e sotme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Gjinushi e ka cilësuar si festën e fitores.
Ngjela: “Sot janë orët e fundit të qeverisë në pushtet”
Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, deklaroi dje se protesta e sotme është dita për t’i dhënë orët e fundit qeverisë në pushtet. “Një milion njerëz e kanë të qartë se nuk mund të durojnë më një tiran që u ka dhunuar zgjedhjet dhe i ka varfëruar në ekstrem. Data 14 maj do të jetë dita që do shporrim tiranin me fitore. Kjo është një betejë, e cila, në rast se nuk fitohet nga ne, nuk ka më të ardhme për Shqipërinë dhe shqiptarët”, - u shpreh Ngjela. Ai nënvizoi se kjo ditë është shenja kryesore për t’u thënë të gjithëve se shqiptarët do të hyjnë në Europë me dinjitet. Më tej ai sqaroi se cilat janë arsyet e vërteta të kësaj greve, duke pohuar se nuk po kërkohet as marrja e pushtetit, as pavarësia e Shqipërisë, se ne e kemi fituar atë, por po kërkohet liria e popullit shqiptar dhe dinjiteti i tij. “Nëse kjo betejë nuk fitohet nga opozita, nuk ka më të ardhme për shqiptarët, e këtë ta dinë mirë miqtë dhe armiqtë tanë. Të jemi dinjitozë përballë lirisë dhe nesër do t’i japim orët e fundit kryeministrit dhe kësaj qeverie. Do t’i hapë apo jo kutitë, kjo do varet nga forca jonë”, - bëri me dije ndër të tjera Ngjela.
14 Maj 2010