Braçe: “Berisha nuk kërkon zgjidhje, fuqia e tij është korrupsioni”
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, deklaroi dje gjatë fjalës së tij në protestë se kryeministri Sali Berisha nuk është i interesuar t’i japë zgjidhje krizës në vend. Braçe shprehu shqetësimin se vendi është i zhytur në korrupsion. “Sali Berisha nuk do zgjidhje, ia kanë ndaluar të gjejë zgjidhje. Fuqia e tij është korrupsioni, i cili nuk lejon zgjidhjen e krizës në vend. Janë abuzuesit e përditshëm me paratë tuaja. Janë klientët e partisë në pushtet që kanë fituar gjithçka”, - tha Braçe.
Në serinë e akuzave të tij Braçe theksoi se arka e shtetit është bosh dhe se po merren borxhe të reja për të rritur me 4 qindarka rrogat. “Saliu nuk bën punën e shtetit si kryeministër, por zagarin e Bllokut. Arka e shtetit është bosh. Qeveria po merr borxhe të reja për të shtuar rrogat dhe pensionet vetëm me 4 qindarka”, - tha Braçe.
Hysi: “Të mposhtim frikën e pushtetit, sot, të gjithë në protestë”
Në ditën e 13-të të grevës, deputetja Vasilika Hysi i ka ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë ta mposhtin frikën e pushtetit dhe të dalin të gjithë sot në protestë. Sipas saj, protesta e pasdites bëhet për mirëqenie, për integrim dhe si mbështetje për grevistët. “Ky pushtet nuk e kupton se ne jemi në këtë protestë, për mirëqenie, për integrim për të mirën e gjithë shqiptarëve, prandaj në mbështetje të grevistëve të bashkohemi të gjithë për të treguar forcën e karakterit”, - deklaroi Hysi.
14 Maj 2010