Dule: Ksera u vetëpërjashtua nga OMONIA
GJIROKASTËR - Thellohet çarja në mesin e minoritetit grek. Organizata OMONIA zyrtarizon largimin e një prej eksponentëve më të rëndësishëm të saj, Spiro Kserës, i cili në kundërshtim me vendimet e kësaj organizate, kandidoi dhe u zgjodh deputet i PD-së në Qarkun e Gjirokastrës. Për herë të parë, qysh prej zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, anëtarë të organizatës "Omonia" në rrethin e Gjirokastrës, janë mbledhur për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit dhe situatës aktuale, si dhe për të zgjedhur kryetarin e ri, post i cili prej shumë vitesh mbahej prej Spiro Kserës. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, i cili ka pohuar se Ksera, me vendimin që mori u vetëpërjashtua nga radhët e OMONIA-s dhe PBDNJ-së.
Kështu, i pyetur në lidhje me një vendim të mundshëm për përjashtimin e Kserës nga radhët e OMONIA-s, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka deklaruar se "z. Ksera është vetëpërjashtuar dhe ky vetëpërjashtim është zyrtarizuar edhe me vendimet e strukturave përkatëse të Bashkimit Demokratik të Minoritetit Etnik Grek (Omonia). Rrjedhimisht, sot është edhe mbledhja zyrtare, e cila do të bëjë zëvendësimin e strukturave, zgjedhjen, plotësimin e tyre, si dhe një analizë të procesit zgjedhor të 28 qershorit, por dhe problemet me të cilat u shoqërua në radhët e minoritetit grek e që ishin probleme të paprecedenta.
Rrjedhimisht, do të ketë vendime, të cilat do të jenë, shpresojmë të guximshme, të cilat do ta fusin OMONIA-n dhe PBDNJ-në në ato zhvillime, të cilat do t'i sjellin vitalitetin e duhur që kërkojnë situatat politike në vend", - është shprehur Dule, duke akuzuar në të njëjtën kohë qeverinë e re, ku Ksera bën pjesë, si të paaftë për të përballuar problemet me të cilat po përballet sot vendi. Ndërkohë që, në fund të mbledhjes së forumeve drejtuese të OMONIA-s në këtë qytet, rezultoi se Dhimitër Maluqi do të drejtojë degën lokale të kësaj organizate në rrethin e Gjirokastrës, deri në kongresin e jashtëzakonshëm. Megjithatë, duket se situata brenda vetë OMONIA-s nuk është shumë pozitive, pasi edhe në takimit të djeshëm u vu re mungesa e kreut të përgjithshëm të kësaj organizate, Vasil Bollano, mungesë që u justifikua me një tjetër takim të tij në rrethin e Sarandës.