E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, KQZ: Partitë e vogla të kthejnë paratë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë të martën për fatin e partive që s'kanë kthyer lekët

Gjatë mbledhjes mund të ketë edhe propozime për përjashtimin e tyre për pesë vjet nga e drejta për të konkurruar

Pas një hezitimi të gjatë, më së fundi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të ndërhyjë për të detyruar të gjitha partitë e vogla që nuk mundën të hyjnë në Parlament, të kthejnë një pjesë të shumës së parave të marrë nga Buxheti i Shtetit. Institucioni më i lartë i administrimit të zgjedhjeve në vend do të mblidhet ditën e martë në një seancë të posaçme, ku temë diskutimi do të jetë pikërisht vendimmarrja lidhur me forcat politike që s'kanë zbatuar detyrimet e Kodit Zgjedhor për t'i kthyer detyrimet financiare shtetit, që nga përllogaritjet paraprake rezultojnë të jenë 127 milionë lekë të vjetra.

Projektvendimi

Pesë partitë politike, PSD-ja, PDS-ja, PAA-ja, PAD-ja dhe PDK-ja, që nuk mundën të bëhen sërish parti parlamentare, duhet të kthejnë një pjesë të lekëve që morën para fushatës nga fondi për zgjedhjet i Buxhetit të Shtetit. Ky është thelbi i projektvendimit që KQZ-ja pritet të diskutojë në fillim të javës së ardhshme, në një mbledhje të thirrur posaçërisht për këtë çështje. Kështu, në bazë të përllogaritjes që ka bërë Drejtoria e Financave në KQZ, duke iu referuar pikërisht nenit 87 të Kodit Zgjedhor, rezulton se këto pesë parti duhet të kthejnë atë pjesë të lekëve që kanë përfituar sipas raportit të votave që këto forca kishin përfituar në zgjedhjet pararendëse.

Thënë ndryshe, këto forca politike që në zgjedhjet e radhës nuk kanë marrë asnjë mandat deputeti, duhet të kthejnë vetëm pjesën e fondit të përfituar nga Buxheti i Shtetit që u është shpërndarë atyre, duke marrë për bazë votat e fituara në zgjedhjet e 2005-ës. Më konkretisht, bëhet fjalë për një shumë prej afro 12.7 milionë lekësh të rinj, nga të cilat 5.1 milionë do të duhet t'i kthejë PSD-ja, 2.6 PAA-ja, 1.9 PAD-ja, 1.7 PDS-ja dhe 1.3 PDK-ja. Depozitimi i këtyre shumave bëhet në llogarinë bankare të KQZ-së. Megjithatë, në projektvendim nuk është parashikuar asnjë penalizim paraprak për këto subjekte zgjedhore, që në bazë të kodit duhet t'i kishin kthyer lekët brenda muajit gusht. Gjithashtu, në projektvendim nuk është parashikuar edhe se çfarë do të ndodhë në rast se sërish këto forca nuk do të respektojnë vendimin e KQZ-së. Megjithatë, burime pranë KQZ-së nuk përjashtojnë mundësinë që gjatë mbledhjes të së martës të ketë propozime si nga përfaqësuesit e forcave, politike ashtu edhe nga anëtarët e këtij komisioni për të marrë masat ndëshkuese që parashikon kodi në këtë rast, siç është humbja e së drejtës së financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, mosregjistrimi si subjekte zgjedhore në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre

Rishpërndarja

Pjesë e projektvendimit që u është shpërndarë anëtarëve të KQZ-së është gjithashtu dhe një pikë që ka të bëjë me rishpërndarjen e këtij fondi për partitë e tjera, që në zgjedhjet e 28 qershorit mundën të bëheshin parti parlamentare. Kështu, partitë politike, që në zgjedhjet e 28 qershorit mundën të fitojnë mandate përfaqësimi në Kuvend, do të "shpërblehen" me të gjithë shumën që do të detyrohet të kthejnë ato subjekte elektorale, që para zgjedhjeve përfituan nga buxheti dhe më 28 qershor, por nuk mundën të sigurojnë asnjë mandat përfaqësimi.

Në këtë mënyrë, në projektin e hartuar nga administrata e KQZ-së parashikohet që shumat që duhet të kthejnë këto forca për shkak të rezultatit negativ që arritën në zgjedhje, t'u shpërndahen partive politike që u rikonfirmuan si forca parlamentare ose që u futën rishtazi në Kuvend. Në bazë të llogarive të bëra, rezulton se KQZ-ja duhet të rishpërndajë për 6 forcat që arritën të marrin mandat deputeti, shumën prej 127 milionë lekësh të vjetra, të cilat do të kthehen nga 5 subjektet, që nuk arritën të marrin asnjë mandat.

Përllogaritja e shumës që do t'u shpërndahet këtyre subjekteve është bërë në raport me mandatet që ka fituar secila forcë. Kështu, duke ditur tashmë se PD-ja mundi të marrë 68 deputetë, ajo do të marrë nga KQZ-ja një shumë prej 61.8 milionë lekësh të vjetra, PS-ja për 65 mandate do të marrë 59 milionë, LSI-ja për 4 mandate 3.6 milionë dhe 3 forcat e tjera, PR-ja, PDI-ja dhe PBDNJ-ja nga 0.9 milionë. Në rast se pesë subjektet politike që janë debitore ndaj Buxhetit të Shtetit nuk do të kthejnë sërish lekët, atëherë KQZ-ja pritet t'i drejtohet Ministrisë së Financave për një buxhet shtesë.


Partitë dhe shumat që duhet të kthejnë

Partia Socialdemokrate e Shqipërisë, 5.136.667
Partia Agrare Ambientaliste, 2.644.556
Partia Aleanca Demokratike, 1.920.479
Partia Demokracia Sociale, 1.711.151
Partia Demokristiane e Shqipërisë, 1.315.153
Në total = 12728006

Partitë dhe shumat që përfitojnë sërish

Partia Demokratike, 6.18 milionë
Partia Socialiste, 5.9 milionë
Lëvizja Socialiste për Integrim, 3.6 milionë
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, 0.9 milionë
Partia Republikane, 0.9 milionë
Partia për Drejtësi dhe Integrim, 0.9 milionë

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›