E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Do të përdorim çdo mjet për të mbrojtur votat


Dy kandidatët për kryetar të PS-së, Rama e Lakrori, kanë zhvilluar dje takime elektorale në Berat dhe Fier

Kur mbetet më pak se një javë nga dita e zgjedhjeve për kryetarin e ri të Partisë Socialiste, dy kandidatët për këtë post, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, kanë vijuar gjatë ditës së djeshme ballafaqimin e tyre me anëtarësinë e partisë së qytetit të Beratit dhe të Fierit. Fillimisht kanë qenë socialistët beratas ata që janë njohur me platformat e dy kandidatëve, si dhe kanë debatuar me ta lidhur mbi problematikat me të cilat përballet sot Partia Socialiste. Madje, kanë qenë pikërisht zhvillimet politike në vend ato që kanë zënë dhe pjesën më të madhe të diskutantëve, ku natyrisht, kreu në detyrë i PS-së, Edi Rama, ka shpjeguar vendimin e grupit parlamentar socialist për të kushtëzuar pjesëmarrjen në Kuvend me një sërë kushtesh, thelbi i të cilave është padyshim hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit.

Rama ka ripërsëritur akuzat për vjedhje votash, fenomen që, sipas tij, ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Rama ka deklaruar gjithashtu se PS-ja doli fituese në zgjedhjet e përgjithshme në Qarkun e Beratit, por rezultati do të ishte edhe më i thellë në Berat dhe kudo nëpër Shqipëri, nëse grupet kriminale nuk do të ishin nxjerrë nga burgu, nëse nuk do të manipulohej numërimi i votave dhe vendimet e gjykatave do të ishin të pavarura. Rama, pasi ka paraqitur platformën e tij për drejtimin e partisë për vitet e ardhshme, u është përgjigjur pyetjeve të shumta të bëra nga anëtarët në sallë. Shumë prej pyetjeve që i janë adresuar Ramës kanë qenë mbi vendimin e marrë për bojkotimin e Kuvendit nga PS-ja.

Rama është shprehur qartë, duke rideklaruar se PS-ja nuk do të marrë pjesë në Kuvend dhe ka shpjeguar se përse ai akuzon qeverinë për vjedhjen e votave nëpërmjet nxjerrjes nga burgu të grupeve kriminale. Më pas, thuajse e njëjta tablo është shfaqur edhe në takimin e zhvilluar dje pasdite në qytetin e Fierit, ku sërish kreu socialist ka deklaruar se Partia Socialiste nuk do të hyjë në Parlament pa plotësuar një sërë kërkesash, të cilat kushtëzojnë sjelljen e kësaj force karshi institucioneve të dala nga zgjedhjet e 28 qershorit. "Shqipëria nuk është vend i pushtuar dhe nuk do të lejohet nga socialistët që të pushtohet. Me të gjitha mjetet nuk do të lejojmë të ndodhë kjo, pasi edhe në këto zgjedhje Shqipëria tregoi se votoi si dikur në pjesën mafioze të Italisë jugore, ku vota kontrollohej nga mafia.

Është koha të rezistojmë, me të gjitha mjetet do ta realizojmë këtë rezistim. Duke nisur që nga protestat në shesh, deri dhe mjete të tjera më të forta do të përdoren për të çuar të drejtën e votës së shqiptarëve në vend", - ka thënë kreu në detyrë i PS-së, Edi Rama në Fier.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›