Tiranë, tranvestitit i pritet fyti me thikë. Dyshohet tutori
Krimi makabër ka ndodhur në orët e vona të natës, policia në kërkim të tranvestitëve të tjerë për t'i marrë në pyetje
TIRANË- Një krim makabër ka tronditur mbrëmjen e djeshme kryeqytetin teksa një tranvestit është vrarë në mënyrë barbare vetëm pak metra larg godinës së KKRT. Policia ka zbuluar trupin e pa jetë rreth orës 20.45 të mbrëmjes së djeshme në një rrugicë të errët. Burimet nga vendi i ngjarjes pohuan se kalimtarët e rastit kanë parë trupin e pa jetë dhe menjëherë kanë njoftuar policinë.
Hetuesit që kanë shkuar pak minuta më pas në vendin e ngjarjes pohuan fillimisht se ishte vrarë një femër por pak minuta më pas deklaruan se bëhej fjalë për një tranvestit. "Viktima është një mashkull që mendohet se quhet Petrit por ende nuk është bërë identifikimi i plotë i tij. Ai nuk kishte dokumente me vete dhe nga ana jonë nuk është element i skeduar. Ai njihet në rrethet e homoseksualëve dhe tranvestitëve me emrin Kristina. Këto janë të dhëna paraprake dhe për momentin nuk mund të themi asgjë tjetër",- thanë mesnatën e djeshme burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, viktimës i është prerë fyti dhe ka vdekur si pasojë e humbjes së madhe të gjakut. Hetuesit kanë kërkuar për thikën në vendin e ngjarjes por pa mundur ta gjejnë atë.
Dyshimet e para janë se vrasja mund të jetë kryer për motive konkurrence nga tranvestitët e tjerë. Hetuesit janë vënë në kërkim të tranvestitëve që gjenden zakonisht në atë zonë por askush prej tyre nuk ndodhej aty. Patrulla policie janë shpërndarë në të gjithë zonën duke kërkuar për tranvestitët dhe prostitutat. Hetuesit pohuan se kanë një të dyshuar por pa bërë publik emrin. Ndërkohë, një pistë tjetër është se vrasja mund të jetë kryer nga ndonjë homofob që mund të ketë kryer marrëdhënie seksuale me viktimën përpara vrasjes.