E Diel, 1 Nëntor 2026

Dule: Miço shkeli ligjin,u shkarkua nga kryeministri

 

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut reagoi dje pas akuzave të kreut të Inspektoratit Shtetëror të Punës, Thoma Miço, në drejtim të tij. Në një prononcim për gazetën “Panorama” kreu i kësaj partie tha se kjo është një çështje mes ministrit dhe kryeministrit dhe aspak politike. Ai tha se “nuk ka të bëjë me çështje politike. Që nga momenti që ky post përsëri përfaqësohet nga partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, nuk i cenon interesat e përfaqësimit tonë, por të jetë përfaqësimi partiak nuk do të thotë që ta mbrosh edhe në rastet e shkeljes së ligjit dhe ka probleme administrative”. Sipas kreut të PBDNJ-së, Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale i ka kërkuar kreut të qeverisë largimin e Thoma MIços nga detyra. “Secili mund të thotë çfarë të dojë, besoj se u ka rënë në dorë shkresa me motivimin e kërkesës nga ana e ministrit, e cila është pranuar nga kryeministri dhe tashmë është fakt. Është një kërkesë e javës së shkuar, për të cilën jam vënë dhe unë në dijeni dhe bie përpara deklaratave se gjoja ka dhënë dorëheqjen. Ai është shkarkuar nga kryeministri”, theksoi më tej Dule.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›