E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Basha pasardhës i Berishës? Janë barcaleta

 

Nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli hodhi poshtë idenë se Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, mund të jetë lideri i ri i demokratëve. Në emisionin televiziv “Zonë e Lirë”, Topalli hodhi poshtë në mënyrë ironike një mundësi të tillë. Pyetjes së gazetarit Çani se “nëse Lulzim Basha është pasardhës i Berishës?”, nënkryetarja e PD-së, iu përgjigj se “mos kallëzo barcaleta tashti. Këtu të gënjejnë këto parandjenja Çani”. Ndërsa ndau mendimin se nëse PD-ja rifiton një mandat të dytë, duhet të punojë fort që brenda 7 vitesh Shqipëria të anëtarësohej në BE.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka ngurruar të japë një deklaratë të qartë në lidhje me qëndrimin e presidentit Bamir Topi për ligjin e Dosjeve. “Është e drejta e tij për qëndrimin e mbajtur. Nuk e firmosi, në atë kohë ligji u paraqit kur ishte Kryetar i Grupit Parlamentar i PD-së”, deklaroi Topalli në emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit në “Vizion Plus”. Topalli u shpreh se “është krenare që një ligj i tillë u miratua në kohën kur ajo ishte në krye të Parlamentin shqiptar. Bashkë me kolegët e mi kemi punuar shumë që të miratojmë një ligj të tillë”. “Në ditën e parë do ta kisha firmosur një ligj të tillë, nëse do të isha në pozicionin e presidentit”, deklaroi Topalli në lidhje me pyetje se çfarë qëndrimi do të mbante për “Dosjet”. Për çështjen e dorëheqjes së Zamir Shtyllës, kryeparlamentarja tha se “është një rrugë e butë normale, ato që kanë reflektim ndaj vetes. Ato që kanë dhe në atë që do të ngrihet kanë parasysh pendesën”. Kryeparlamentarja hodhi poshtë se një ligj i tillë është pjesë e ndarjes ndërmjet të majtës apo së djathtës. “Shoqëria preket nëse në krye të institucioneve të vendit gjenden njerëz që kanë dhënë vendime me vdekje. Ligji është një reflektim, një moment që duhet të pasohet me ligjin për Pendesën”, theksoi Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›