E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miço: Minoriteti ka braktisur PBDNJ

 

ADI SHKEMBI

Pak muaj pas debatit që përfshiu PBDNJ-në lidhur me shkarkimin e ministrit Kosta Barka, një tjetër debat i ngjashëm nisi dy ditë më parë.  Këtë herë radha për t'u shkarkuar i erdhi Kryeinspektorit Shtetëror të Punës, Thoma Miço. Por ndërsa ky i fundit tha se dha dorëheqjen pas diktatit që kërkonte të vinte kreu i PBDNJ-së, Vangjel DUle, Ministri i Punës, Anastas Duro pretendon të kundërtën. I kontaktuar nga gazeta "Panorama", Duro tha se një javë më parë i ka kërkuar Kryeministrit Berisha shkarkimin e Miços, me motivin thyerje të ligjeve të shtetit. "Propozimi nga ana ime iu bë kryeministrit para një jave dhe konkretisht të enjten e kaluar. Ka disa motive për largim, për thyerje të rëndë të disiplinës së ligjeve të shtetit dhe motivimi i cili u gjet i mbështetur nga ana e kryeministrit, ai e miratoi dje shkarkimin dhe miratimin në vend të tij të një personaliteti tjetër, të zotit Thoma Melo", theksoi Duro. Ndërkohë, në një intervistë për gazetën "Panorama", Thoma Miço akuzon kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili kërkonte denigrimin e figurës së tij.
Ju keni dhënë dorëheqjen nga Inspektorati. Cilat janë arsyet e kësaj dorëheqje?
Arsyeja e parë është që me kohë unë kam vërejtur që me tendencë si ministri i parë dhe ai i dytë, të diktuar nga Kryetari i Partisë, Dule, donin që të mos kisha lirinë e veprimit në institucion. Kjo ka të bëjë me një politikë të hershme të zotit Dule për denigrimin e figurës sime. Kjo është në kuadrin e kundërshtarëve politikë, ai e bën shumë mirë këtë gjë, se e ka bërë edhe përpara me të tjerë. I kam mbetur unë si një nga eksponentët më të hershëm të partisë dhe njeriu që në vitin 2002 ia ka dhënë Vangjel Dules partinë për ta drejtuar. Duke qenë se unë isha i radhës, ai me ministrin e ri, këto ndërhyrjet në punët e kompetencave në bllokimin e propozimeve të mia, i shpeshtoi kaq shumë, saqë unë në këtë fushë asfiksie nuk mund të punoja më. Këto gjëra kishin të bënin me propozime konkrete për largim drejtorësh që abuzonin me detyrën në subjekte të ndryshme, inspektorë të ndryshëm që nga kontrolli im figuronin që ishin njerëz jashtë formatit ligjor, me abuzime. Këta u propozuan për t'u larguar, siç ishte edhe rasti i Drejtorit të Tiranës. Imagjinoni si mund të punojë një kryeinspektor kur bën propozime për të larguar nga puna njerëz, që në luftën kundër korrupsionit nuk i përgjigjen disiplinës, ose nuk finalizohen iniciativat që merr kryeinspektori. Pra në kushtet e një bllokimi të tillë, i cili sapo kish filluar në disa rrethe të tjera të vendit dhe duke pasur parasysh nga nisen këto, e quajta me vend me qëllim që këto të mos influenconin në punën time dhe unë të largohem nga ky pozicion dhe të drejtohet nga dikush tjetër. Influenca e vendimeve të tilla të zotit Duro nën diktatin e Dules do të ndikonin në punën time, do ulnin autoritetin. Kjo asfiksi krijoi bindjen që unë nuk mund të punoj më dhe të dorëhiqem.
Duke qenë se ju mbani edhe postin e nënkryetarit të PBDNJ-së, ekziston mundësia që kjo krizë të depërtohet edhe në strukturat e partisë?
Kriza në parti ekziston. Përderisa partia nuk funksionon në mënyrë statusore, përderisa ka kohë që partia nuk mbledh organet e saj drejtuese dhe vendimmarrja nuk është e organeve drejtuese të partisë, por është e një personi. Ai nuk ngurron që të deklarojë në mbledhjet e cunguara që bëhen, që 'jam unë', 'unë vendos', 'unë emëroj, unë shkarkoj', atëherë kriza është. E keqja e madhe është që shumica e anëtarëve, që pak a shumë janë edhe rekrutime të vetë kryetarit, nuk mund të kundërshtojnë këtë frymë të re që ka futur Dule, të diktatit dhe të mungesës së ndryshimit ndryshe, të dialogut dhe debatit. Këto gjëra mungojnë dhe janë të palejuara. Atje ka një diktim të zotit Dule, të tjerët thonë vetë po. Atje hiqen dhe zëvendësohen ministra dhe ne i marrim vesh në televizion. Zotin Duro e pashë në titrat e TV, ky është një skandal.
Ju thoni që nuk u informuat për ndryshimin e ministrave, por as ju vetë nuk është se reaguar publikisht për këtë...
Kam reaguar në mbledhjet e partisë. Edhe tani që reagova kam disa vite që po e përgatis këtë terren. Nuk mund të hesht më, për arsye se duke heshtur në publik mund të bëhesh bashkëfajtor. Unë s'kam pse bëhem më bashkëfajtor, por e dinë fare mirë brenda partisë kush është Thoma Miço. Gjithë rekrutimet e reja, Dule i ka porositur të gjithë që të kujdesen se unë kam vetëm një kundërshtar. Kur u hartua statuti, unë këmbëngula që të ketë një nen ku të lejohet ekzistenca e rrymave në parti dhe e miratuam. Por ky nen asnjëherë nuk ka funksionuar. Unë nesër, pasnesër, mund të jem viktimë e radhës, mund të iki nga partia. Unë do vazhdoj përpjekjen, edhe në minorancë që të thotë mendimin e tij ndryshe, gjersa ky mendim të jetë i shumicës. Kjo është demokracia.
Cili do të jetë hapi i mëtejshëm në këtë drejtim?
Unë kam dorëzuar një platformë politike, e parashikon disa ndryshime në statut dhe program. Megjithëse jemi në prag të zgjedhjeve, unë propozoj që të mblidhet kongresi i jashtëzakonshëm i cili të ketë edhe karakter elektoral, por edhe karakter parimor, për disa ndryshime që duhen bërë në statut dhe program, me qëllim që ne t'i kthehemi elektoratit tashmë të abandonuar që ishte bastioni ynë, që ishin votat që merrnim nga minoriteti etnik grek.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›