Dule: Ngjarja në Përmet, luftë ndaj fesë. Shteti ti rikthejë objektin Kishës Ortodokse
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka reaguar në lidhje me marrjen e Pallatit të Kulturës në Përmet nga ana e bashkisë, duke ia hequr kështu atë Kishës Ortodokse.
Në një prononcim për mediat, Dule thekson se ngjarja në Përmet të kujton luftën ndaj fesë dhe shndërrimin e vendeve të kultit në Pallat Kulture, fenomene të cilat kanë cënuar jo pak imazhin e vendit tonë.
Shteti ynë ka precedentët më të errët gjatë dy shekujve të fundit në marrëdhëniet me komunitetet fetare. Ngjarja në Përmet të kujton luftën ndaj fesë dhe shndërrimin e vendeve të kultit në Pallat Kulture. Denoncojmë këto shkelje që kanë prekur çdo besimtar dhe qytetar të ndershëm të vendit tonë. Askush nuk ka alibi për qëndrimet e veta, si qeveria në ikje, ashtu edhe ajo në ardhje. Këto fenomene kanë cënuar imazhin e vendit tonë deklaroi Deule.
Sipas Dules zgjidhja e vetme bazohet në marrëveshjet e shtetit me komunitetin ortodoks miratuar në vitin 2009, e cila mbështet Kishën sipas detyrimeve të vendit për rikthimin e besimit dhe pronave e objekteve fetare. Bazuar në këtë marrëveshje, Dule thekson se shteti duhet të reagojë dhe ti rikthehet menjëherë objekti Kishës në Përmet.
Këto deklarata kreu i PBDNJ-së i bëri nga Gjirokastra, ndërsa një ditë më parë lidhur me ngjarjen reagoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila shprehu shqetësimin e thellë për atë qe e quajti incident i dhunshme në Kishën e Virgjereshës Mari në Përmet.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Koutras, theksoi se shpreson që këto veprime të jenë kryer pa qënë në dijeni qeveria shqiptare. Ai deklaroi se ambasada greke dhe autoritetet konsullore janë duke e monitoruar nga afër këtë çështje.