E Diel, 1 Nëntor 2026

Dule: Nuk mund të bëhet opozitë me marrëdhëniet mes aleatëve dhe fqinjëve

Në ditën e festës kombëtare të Greqisë, që shënon datën e fillimit të luftës italo-greke dhe njihet nga grekët si festa e "Jo"-së, që kundërshtoi pushtimin italian në 1940, kryetari i PBDNJ-së, deputeti Vangjel Dule dhe ish-ministri i Punës, Kosta Barka, morën pjesë në ceremonitë zyrtare të organizuara me këtë rast në varrezat e ushtarëve grekë në Bularat të Gjirokastrës. Dy politikanët e njohur të minoritetit grek në Shqipëri janë prononcuar dje lidhur me marrëveshjen e shumëpërfolur për kufijtë detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ndonëse rivalë dhe aktualisht në pozicione të ndryshme politike në raport me pozitën dhe opozitën në Shqipëri, të dy politikanët e minoritetit e kanë përshëndetur këtë marrëveshje dhe e kanë konsideruar si produkt normal me vlera reciproke dhe dobi të dyanshme.
"Vlerësoj si shumë pozitiv faktin që Shqipëria ndërmerr nisma, negocion dhe nënshkruan një marrëveshje me Greqinë për kufijtë detarë, duke dëshmuar kështu se është në gjendje të komunikojë dhe negociojë me aleatët dhe fqinjët e saj, sepse kjo është gjuha e komunikimit me partnerët dhe Aleancën e Atlantikut", deklaroi Vangjel Dule nga Bularati. Ai theksoi se "nuk jam specialist i së drejtës së detit, por me sa e kam ndjekur debatin, bëhet fjalë për respektimin e një të drejte me karakter dhe dobi të dyanshme, që i hap dritën jeshile përfitimit të interesave ekonomike në një zonë dhe hapësirë detare që mund të shfrytëzohet ekskluzivisht si nga vendi ynë ashtu edhe nga fqinjët".
"Nuk e kuptoj, shton Dule, - pse bëhet kaq shumë zhurmë për një marrëveshje që Greqia dhe Italia e kanë nënshkruar qysh në vitin 1977 dhe që Shqipëria me Italinë e kanë nënshkruar në vitin 1992". Lidhur me denoncimin e marrëveshjes nga opozita, Dule mendon se gjithë klasa politike në Shqipëri duhet të jetë më e përgjegjshme për marrëdhëniet me jashtë dhe sidomos me marrëdhëniet me aleatët, fqinjët dhe Europën moderne, sepse këto marrëdhënie janë përtej polemikës së përditshme partiake. "Duhet të jemi serioz, luajalë dhe të vëmendshëm në çështjet që lidhen me politikën dhe marrëdhëniet me jashtë, pasi me këto lloj marrëdhëniesh nuk mund të bëhet opozitë", tha kreu i PBDNJ-së.
Ndërkaq, edhe ish-ministri i Punës, Kosta Barka, e shikon këtë marrëveshje si normale dhe pjesë të marrëdhënieve reciproke të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë. "Marrëveshja është shprehje e zhvillimit të fqinjësisë dhe bashkëpunimit që ka në bazë gjetjen me mirëkuptim reciprok për sistemimin e disa gjërave të mbetura pazgjidhur nga e kaluara. Kjo është një marrëveshje e domosdoshme, korrekte dhe normale që të dyja palët të njohin zyrtarisht hapësirat e tyre detare. Jam kundër veprimeve nacionaliste dhe pseudopatriotike që kanë për synim përftime personale", tha për "Shqip" ish-ministri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›