E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha, policëve: Respektoni të drejtat e të gjithë individëve

Ministri i Brendshëm ka tërhequr vëmendjen e uniformave blu që të tregohen të kujdesshëm në punën e tyre për të respektuar të drejtat e njerëzve, e sidomos të miturve. Lulzim Basha e ka kërkuar këtë gjatë promovimit të tre botimeve të OSBE-së për çështjet e policimit, të cilat janë Manuali i Policisë dhe të Drejtat e të Miturve, Udhëzues për Policimin Demokratik dhe Praktikat e mira mes policisë dhe publikut. Ministri i Brendshëm, në fjalën e rastit, u shpreh se këto botime nuk janë thjesht literaturë për t‘u lexuar, por praktika që sigurojnë respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe e sjellin policinë më afër qytetarëve. Kusht të rëndësishëm të një shoqërie demokratike e të sigurt, e cilësoi ministri Basha bashkëpunimin mes forcave të zbatimit të ligjit dhe komunitetit. Më tej, ai tha se si rrjedhojë e zbatimit të filozofisë së policimit në komunitet, besimi i komunitetit ka ardhur në rritje dhe kjo demonstrohet nga numri gjithmonë e më i madh i telefonatave të publikut. "Kujdes të veçantë për ndjekjen e procedurave dhe kryerjen e veprimeve kur kemi të bëjmë me të miturit", u kërkoi ministri i Brendshëm punonjësve të policisë, duke shtuar se praktikat diskriminuese dhe keqtrajtuese në këtë drejtim duhet të jenë pjesë e së shkuarës. Ministri Basha garantoi se do të ushtrojë të gjitha kompetencat për të influencuar në rritjen e bashkëpunimit të policisë me komunitetin, si dhe me përfaqësuesit dhe të zgjedhurit e pushtetit vendor. Një theks të veçantë në fjalën e tij, ministri Basha i dha faktit se rruga e reformimit të vazhdueshëm të policisë për rritjen e standardeve të saj, kërkon ndryshime që synojnë të jenë sa më cilësore. "Nuk mund të anashkalojmë faktin që policia arriti të përballojë me sukses shkurtimin e personelit të saj dhe të rrisë standardet e policimit në komunitet, si dhe rezultatet në luftën kundër krimit. Ndaj ju them që të mos trembemi nga ndryshimet, por të punojmë me vendosmëri që të përshtatemi dhe të përfitojmë sa më shumë prej tyre", u shpreh Basha. Duke përmendur faktin se sipas strategjisë shtatëvjeçare të Policisë së Shtetit shqiptar, qëllimi afatgjatë strategjik është krijimi i një ambienti të sigurt për publikun shqiptar, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, theksoi se kjo është ngushtësisht e lidhur me zbatimin e filozofisë së policimit në komunitet. "Besoj se këto botime do të kthehen në mjete të dobishme në përpjekjet tuaja të vazhdueshme për të forcuar edhe më tej atmosferën e besimit dhe mirëkuptimit mes policisë dhe publikut të gjerë", u shpreh ambasadori Bosch.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›