Dule: Partia që përfaqëson komunitetin bullgar do konkurrojë në listat tona
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, doli në një konferencë për shtyp së bashku me kreun e partisë që përfaqëson të drejtat e komunitetit bullgar në Shqipëri, të quajtur Partia e Prosperitetit Demokratik.
Dule tha se kjo parti është përjashtuar nga konkurrimi për shkak të siglës PPD, që duket se dëmton Partinë Demokratike.
Por Dule tha se kjo parti do konkurrojë në listat e PBDNJ.
Dëshiroj që në fillim të shpreh kënaqësinë që në këtë konferencë jam me kolegun, kryetarin e Prosperitetit Demokratik, Yzeir Fetahu.
KQZ dhe Kolegji Zgjedhor ka përjashtuar nga konkurrimi Partinë e Prosperitetit Demokratik, një parti që ka konkurruar me siglën dhe inicialet e saj edhe në proceset e mëparshme, tha Dule.
Do bashkëpunojmë në këto zgjedhje së bashku. PPD, që përfaqëson interesat e komunitetit bullgar, do konkurrojë bashkërisht me PBDNJ-në. Për PBDNJ kjo është një kënaqësi dhe një detyrim, vijoi Dule, duke theksuar se vetë Fetahu do kryesojë listën e PBDNJ në qarkun e Elbasanit./ep