Dule, Ramës: Kufiri ujor, jo për konsum politik
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut thellon qëndrimet kontradiktore me Partinë Socialiste. Brenda pak ditësh, PBDNJ ka dhënë dy sinjale të forta që flasin për krisje të aleancës. Rasti i parë është ai kur kreu i PBDNJ-së theu bojkotin e opozitës për zgjedhjet e pjesshme lokale. Së dyti është marrëveshja e kufijve ujorë mes Shqipërisë dhe Greqisë që ka pozicionuar Vangjel Dulen kundër Partisë Socialiste, me të cilën bëri koalicion në zgjedhjet e 28 qershorit. I vetmi deputet që përfaqëson PBDNJ-në në Parlament deklarohet kundër ankimimit të marrëveshjes Shqipëri-Greqi në Gjykatën Kushtetuese. Në të njëjtën ditë që përfaqësuesi i PS-së, Saimir Tahiri dorëzoi ankimimin kundër kësaj marrëveshjeje, deputeti Dule kërkoi që të mos bëhet politikë me çështjet diplomatike. Dule shkon edhe më tej duke komentuar edhe aleancën që forca e tij politike ka nënshkruar me Partinë Socialiste. "Duhet me çdo kusht që marrëdhëniet e jashtme, marrëdhëniet me partnerët tanë t‘i lëmë përtej përplasjes politike, aq më tepër mikropartiake të ditës që mbizotëron me tepricë në realitetet tona politike", thotë Dule. Kryetari i PDBNJ-së i ka kthyer përgjigje pretendimeve të Partisë Socialiste për "shitje" të një sipërfaqeje të konsiderueshme ujore dhe për aferën korruptive që ka shoqëruar këtë marrëveshje. Ai e quan të drejtë të çdo individi në demokraci dhe të drejtë për çdo formacion politik që të vihet në dijeni për zhvillimet dhe të kërkojë transparencë. "Por kur kjo transparencë karakterizohet nga koniunkturialiteti, kur karakterizohet nga tendencioziteti dhe kërkohet në një kohë të dytë, atëherë vetë në parim prishet thelbi i transparencës", vlerëson Dule. PBDNJ është e vlerësimit se Shqipëria është në të tjera kohë dhe se thirrja, dhe revokimi i zërave të së shkuarës për t‘i shërbyer interesave të së sotmes dhe të së ardhmes konsiderohet nga Dule si një eksperiment i dështuar. Kreu i PBDNJ-së e cilëson si të dyshimtë qëllimin e kontestimit të këtij dokumenti nga opozita. Dule komenton edhe raportet e tij me Edi Ramën dhe thotë se nuk bëhet fjalë për një aleancë e cila e lidh PBDNJ dhe PS në martesë. "Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk është e martuar me aleanca", thotë Dule. Sipas tij, PBDNJ bëhet, lidhet dhe investohet në aleanca me objektiva të caktuara. "Rrjedhimisht PBDNJ ka mendimin e vet, vlerësimin e vet dhe kriterin e vet të të ushtruarit politikë", thotë Dule. Duket se PBDNJ është e destinuar të bëjë oponencën edhe brenda ‘folezës‘ së saj. Mendimi ndryshe nuk ishte vetëm gjatë kohës së bashkëpunimit me Partinë Demokratike ku qeverisi për katër vjet, por një parim që vazhdon të ndiqet edhe tashmë që kjo forcë politike bën pjesë në koalicionin e majtë. Duket se kreu i PBDNJ-së nuk është fort i shqetësuar se si do të ndikojë qëndrimi i tij në marrëdhëniet e PBDNJ-së me Partinë Socialiste apo me partitë e tjera që kundërshtojnë këtë marrëveshje. Këtë herë, Vangjel Dule duke kujtuar kohët e vjetra kur bashkëqeveriste me Sali Berishën, mbështet paktin e kufijve me Greqinë dhe thotë se është koha që Shqipëria të nënshkruajë marrëveshje të tilla të standardeve europiane. Dule komenton se këtë qëndrim e mban për shkak se PBDNJ ka mendimin e vet, kriterin e vet dhe vlerësimin e vet të të ushtruarit politikë.