E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Shpresojmë të marrim pyetësorin nga BE, brenda Presidencës Suedeze

Qeveria shqiptare bëhet gati për pyetësorin që administrata duhet të plotësojë për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, shprehet optimiste se brenda këtij viti, Brukseli zyrtar do të japë miratimin që të fillojë përgatitja e procedurave për hartimin e pyetësorit. Qeveria shqiptare është në pritje që Këshilli t‘i kërkojë Komisionit mendimin për Shqipërinë brenda Presidencës suedeze. Ministrja Bregu tha se administrata shqiptare e ka mirëpritur si një ndjesi pozitive dhe përgjegjësi të madhe personale e kombëtare kontributin në procesin e integrimit. "Jam e bindur se kapacitetet tona administrative do të arrijnë të përmbushin në kohë fazën e plotësimit të pyetësorit pavarësisht ngarkesës dhe për trajnimin sa më efikas të administratës, i kemi kërkuar ndihmë qeverisë kroate, jo vetëm se Kroacia është para nesh në procesin e integrimit, por edhe sepse ka kaluar në të njëjtat hapa. Ky është vetëm fillimi, më 1 nëntor do të nisin trajnimet intensive të administratës me grupet e ekspertëve", vlerësoi ministrja. Ne, vijoi ajo, jemi absolutisht, krejtësisht të gatshëm që të mirëpresim pyetësorin e Bashkimit Europian, të Komisionit Europian, pra mendimin nga Këshilli që do t‘i kërkojë Komisionit përgatitjen e pyetësorit në çfarëdolloj momenti që të vijë. "Ne besojmë që ky moment të jetë sa më i shpejtë dhe të jetë një datë jo shumë e largët, pavarësisht të gjitha diskutimeve dhe duke vlerësuar vendimmarrjen e shteteve anëtare në Këshill dhe në Komisionin Europian", u shpreh Bregu. Sipas ministres së Integrimit, qeveria shqiptare prej një viti po trajnon administratën e saj, e cila do të duhet të japë përgjigje pyetësorit të BE-së për të marrë statusin e vendit kandidat. Me tërheqjen e pyetësorit, qeveria shqiptare do të kërkojë vetëm katër muaj kohë për plotësimin e saj dhe më pas topi kalon sërish në fushën e Brukselit dhe pas vlerësimit të përgjigjeve, mbetet vetëm vendimi politik që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Por përveç aspekteve teknike, Brukseli është i ndjeshëm edhe ndaj situatës politike në vend, prandaj, ministrja e Integrimit i bëri edhe një herë thirrje opozitës që të rikthehet në Parlament. "Mospjesëmarrja e opozitës në Parlament është përgjegjësi historike, për aq sa është përgjegjësi historike për këtë qeveri dhe për këtë mazhorancë që të drejtojë dhe përshpejtojë reformat për procesin integrues të Shqipërisë në BE. T‘ju japim mundësi qytetarëve shqiptarë që të shkurtojnë me orë dhe me minuta procesin e liberalizimit të vizave për ta, po kaq është përgjegjësi e opozitës mospjesëmarrja e saj në Parlament", konstatoi Bregu. Deklaratat e ministres u bënë në një tryezë pune të

të organizuar nga Ministria e Integrimit lidhur me pyetësorin e Komisionit Europian që pritet t‘i dërgohet Shqipërisë pas shqyrtimit të kërkesës për anëtarësim.

E.Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›