E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule: Zgjedhjet duhen ekzaminuar

PBDNJ

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, deklaroi dje se raportet ndërkombëtare kanë deklaruar qartazi se çdo një në tri vota ka shkuar në destinacion tjetër nga ai i duhuri. “Zoti Berisha, si do e trajtoni një pacient pa e parë se çfarë ka? Si mund të shkojmë në zgjedhjet e tjera pa parë se ku dështuam? Për të bërë ekzaminimin e zgjedhjeve, duhet të jenë të vëmendshëm në qëndrimet tona”, theksoi Dule. Sipas tij, me sa është bërë e qartë, nuk kërkohet prej askujt ndryshim i rezultatit zgjedhor. “Nuk kërkon njeri rinumërim votash dhe as rishpërndarje mandatesh, duke ndryshuar raportet pozitë-opozitë. Kërkohet që të shohim të gjithë se si dhe në çfarë mënyre u numërua keq dhe shumë keq, në çfarë mënyre u tjetërsua vota e qytetarit shqiptar”, u shpreh Dule. Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, insistoi se duhet të mësohet mënyra e regjistrimit fiktiv të kartës së identitetit të një votuesi që nuk mori pjesë në votim. “Duhet parë regjistrimi i votave, ku për tjetërkënd u hodh, tjetërkënd u numërua dhe tjetërkënd u hodh në procesverbal”, këmbënguli Dule. Këto, shtoi ai, janë kusht për të realizuar më pas ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›