Pranga 3 policëve, vidhnin pjesë të mjeteve të bllokuara
Tre oficerë policie në Vlorë janë arrestuar, pasi dyshohen se kanë vjedhur pjesë makinash të bllokuara. Dje, nga SHKB-ja u krye arrestimi i inspektorëve Musa Nushi 59 vjeç, çobo Sakaj 45 vjeç dhe Muhamet Sulejmani, 43 vjeç, të tre punonjës të Komisariatit të Vlorës. Të tre të arrestuarit kryenin funksionin e trupës së shërbimit në pikën e bllokimit të automjeteve. Gjykata e Vlorës kishte dhënë për ta masën “arrest me burg”, ndërkohë që Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Prokuroria e Vlorës kishte zhvilluar ndaj tyre hetime për veprën penale “të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. Këta punonjës të policisë, duke qenë me shërbim në kohë të ndryshme dhe më shumë se një herë kanë vjedhur pjesë këmbimi të automjeteve të bllokuara nga policia, duke ua shitur ato personave të tretë. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të çështjes.
#