E Diel, 1 Nëntor 2026

Si do të jetë transporti urban në Tiranë deri më 2020

Prezantohet “Masterplani i zhvillimit të transportit të qëndrueshëm në qytetin e Tiranës, 2020”

Transporti urban në kryeqytet gjatë këtij dhjetëvjeçari premtohet të ndryshojë tërësisht. Këto premtime janë hedhur si ide edhe në masterplanin e sapopërfunduar të transportit të qëndrueshëm në qytetin e Tiranës. Ai është prezantuar dje nga vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.
Përgjatë të gjithë vitit 2009, më mbështetjen e Bankës Europiane për Rindërtimin dhe Zhvillimin (BERZH), e cila mundësoi asistencën teknike të huaj, Bashkia e Tiranës analizoi situatën dhe problemet kryesore për zgjidhje në lidhje me: lëvizjen/trafikun, transportin publik, infrastrukturën e lëvizjes dhe të transportit, nevojën për inovacion dhe teknologji të reja të transportit drejt një zhvillimi të qëndrueshëm të tij. Për këtë u hartuan një kuadër masash për t’u dhënë zgjidhje problemeve edhe afatgjata. Masterplani i transportit ka përcaktuar optimizimin e sistemit ekzistues të transportit publik, ashtu dhe rrjetin e linjave të reja të ardhshme, së bashku me sistemet e transportit që duhet të aplikohen: më shumë se 100 km korsi të rezervuara të transportit publik, deri në 2020. Por edhe 88 km korsi të rezervuara “bus” (një-drejtim) për realizimin e të cilave ka filluar implementimi që në vitin 2010 e 2011. Korsitë e rezervuara do të kenë një impakt të rëndësishëm në rritjen e shpejtësisë mesatare të lëvizjes së mjeteve të shërbimit të transportit publik. Kjo gjë ka një impakt pozitiv në rritjen e efikasitetit të shërbimit dhe do të thotë: reduktim i trafikut me mjete private, më shumë siguri, ulje e kostos së shërbimit, më shumë ndërrime linjash dhe mundësi lëvizjeje, respektim i orareve të shërbimit, respektim i frekuencës. Masterplani parashikon edhe ndërhyrje në rrjetin ekzistues të shërbimit. Do të modifikohen itineraret (bashkohen, zgjaten) e katër linjave ekzistuese (2010-2011), si dhe do të shtohen dy linja të reja (2010-2011). Deri në vitin 2020, në vartësi dhe të infrastrukturës rrugore: do të shtohen ose modifikohen gjashtë linja, duke shtuar linjat unazore në qytet dhe duke zgjatur linjat ekzistuese deri në ekstremet e mundshme ose orientuar shtrirjen e shërbimit në të ashtuquajturin modeli “derë më derë”. Kryqëzimet kryesore do të pajisen me Sistemin e prioritetit BUS, brenda vitit 2011. Kjo do të mundësojë dhënien e prioritetit të shërbimit publik ndaj trafikut privat. Do të vendosen sistemet “IT System (GIS)” të transportit, që mundësojnë menaxhim në kohë reale të shërbimit, monitorim dhe kontroll të menjëhershëm, si dhe informim i qytetarëve për oraret, vonesat, ndalesat në kohë reale. Do të rishikohen dhe ridizajnohen stacionet “Bus” për të mundësuar komfortin dhe sigurinë për qytetarët. Do të ndryshojë tërësisht flota e mjeteve të transportit, duke futur mjete me të gjitha kushtet e komoditetit.

Gjithashtu, Masterplani ka përcaktuar, duke u ndërthurur me Planin e ri Rregullues të qytetit, Rrjetin Rrugor të nevojshëm në qytet, hierarkinë dhe shpërndarjen e tij për çdo përdorues.
Sistemi parashikon që përtej vitit 2020 do të mendohet dhe të studiohet fizibiliteti i ndërtimit të rrjetit urban hekurudhor, ku përfshihen: 20 km binarë në zonë urbane, sistemin TRAM-TREN, si një sistem që përdor teknologjinë e infrastrukturës hekurudhore (në shina) për zonat urbane dhe jourbane.
“Tirana e transformuar është një qytet, si çdo qytet që jeton përditë me shtysën e brendshme për zhvillim dhe që zhvillohet përditë falë ambicies dhe energjisë të qytetarëve të vet. është sot përballë sfidës së zgjidhjeve për atë që përbën një prej elementëve më të rëndësishëm të jetës së vet të përgjithshme, transportin”, tha Rama në fjalën e tij. Sipas Ramës, sa më shumë ne të arrijmë ta kthejmë transportin, lëvizjen, trafikun në kryeqytet në një pjesë të normalitetit të bashkëjetesës sonë në këtë hapësirë, aq më shumë rritet cilësia e jetës sonë të përditshme jashtë shtëpisë.
“Dua të siguroj edhe njëherë të gjithë qytetarët e Tiranës, se duke pasur në dorë këtë Masterplan dhe duke pasur në dispozicion të gjithë hartën e projekteve që duhet të nisim të realizojmë për të filluar zbatimin e këtij Masterplani, kemi në dorë instrumentin që na duhet për të përballuar sfidën e rritjes eksponenciale të lëvizjes dhe transportit në kryeqytet”, theksoi kryebashkiaku.
Masterplani dhe projektet kryesore 2010-2011 do të jenë të hapura për publikun, duke filluar nga muaji prill, 2010 në Pavijonin e Qelqit, pranë sheshit “Skënderbej”, për mendime dhe komente.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›