E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule harron Barken e tij

Partitë e vogla të mazhorancës filluan të gjallërohen përsëri. Pas qëndrimit rreshtor në sallën e Parlamentit më 21 Prill, ku ‘kryengritja‘ e tyre u shua brenda disa minutash nga Kryeministri Berisha, që i kërcënoi jo vetëm me largim nga postet ministrore, por dhe me lënie jashtë listave në zgjedhjet parlamentare, duket sikur kanë nevojë të konsumojnë pak pavarësi në publik. Integriteti mjaft i dyshimtë i tyre, i certifikuar për fat të keq edhe natën e 21 Prillit, nuk mund të riparohet me rebelime të tipit ‘Dule‘, ku kërkohet riformatimi i kabinetit qeveritar. E sidomos pas Gërdecit, ku kjo qeveri ka rënë, të paktën moralisht, riformatimi i saj është një shaka e hidhur për shqiptarët. Përpjekja për të bërë protagonizëm politik përmes kërkesës për riformatim të kabinetit tingëllon jo vetëm si alibi për të mbuluar dështimet e shumta, por edhe shmangie nga përgjegjësia që kanë të gjitha partitë e koalicionit për dështimet e certifikuara tashmë të kësaj mazhorance. Kësaj mundohet t‘i ikë me hile zoti Dule dhe të ngrejë gjoja zërin për një qëndrim të vjetër të artikuluar prej tij.

Riformatimi i kabinetit nuk mund të zgjidhë më asgjë në këtë vend ku ngecjet janë të shumta, aq më shumë kur ky riformatim kërkohet të realizohet pa dhënë asnjë indicie për analizë në dështimet e shumta. Dule, gati si rastësisht, kur përpiqet të bëjë në mënyrë të pavarur analizën e qeverisë, harron Barkën e tij, ministrin më të pasuksesshëm të këtij kabineti, ministrin më të pazëshëm dhe gati-gati anonim. Ai, ashtu si edhe kreu i mazhorancës, i largohet si djalli temjanit çështjes së Gërdecit, ku padituria e Barkës kaloi pa u vënë re dhe analizuar. Mbase prokuroria do të kujtohet më vonë edhe për këtë. Inspektorët e shumtë të këtij dikasteri, nuk u mor vesh, nuk u lejuan apo nuk dinin gjë për ‘fabrikën e vdekjes‘, por vetëm se dilnin të larë e papërgjegjësi, ashtu si edhe për vdekjet e shumta tragjike në miniera e ndërtim, ku vetëm mbajnë shënim numrin, pa guxuar njëherë të reagojnë e të marrin masa seriozisht. Por duket se ministri që e zgjidhi si në Tiranë, ashtu edhe në Sarandë çështjen e strehimit me qesen e tij të "varfër", nuk ka kurajën e ballafaqimit publik për tolerancën që tregon në mënyrë konstante për jetët që humbin.

Kjo me sa duket i dhemb fare pak këtij zyrtari, i cili investohet seriozisht në përpunimin dhe çuarjen aty ku duhet të projekteve prej miliona eurosh, sipas të cilave mundohet për të krijuar siguri në punë!!! Kur tenton të krijojë atmosferën e ndryshimeve, Dule harron se ai është përgjegjës politikisht edhe për dështimin e programit të qeverisë në fushën e punësimit dhe Koçoja e Kosta, që merren aq mjeshtërisht me destinacionet e projekteve, duhet të jenë pjesë e analizës që ka nevojë një riformatim kabineti. Dule nuk është aq naiv sa të mos dijë ku shkojnë e si menaxhohen paratë e shumta të dhëna, si nga qeveria ashtu edhe nga organizmat ndërkombëtarë për dikasterin që drejton një përfaqësues i partisë së tij, por nuk do të çojë pluhur për një temë që vërtet mund të hapë probleme. Efektiviteti i këtyre parave nuk ndihet ose është i papërfillshëm për të krijuar një standard të politikave të punësimit e të sigurisë dhe kushteve të punës, që të jetë nesër një kredit i besueshëm elektoral në integritetin e kësaj partie për të kërkuar përfshirje në kabinet. Nëse Dule nuk arrin deri te ky perceptim, atëherë kërkesa e tij për riformatim kabineti bie shpejt moralisht.

PBDNJ, e cila kohët e fundit nuk po orientohet saktë në përzgjedhjen e koalicionit të ardhshëm, ka krijuar dy standarde politike gjatë periudhës së bashkëqeverisjes së saj të: Standardin e profesionistit dhe të politikanëve luajalë e korrektë të tipit Peçi-Solis, dhe atë të politikanëve provokativë e me vizione shumë të ngushta të tipit Bollano-Barka. Për fat të keq, Dule në vend që t‘u referohet të parëve, merr në mbrojtje të dytët, duke u bërë avokat i një standardi që ka shumë pak garanci se do të jetë i pranueshëm jo vetëm nga elektorati i tij, por edhe aleatët e "detyruar" të thërrasin në qeveri përsëri PBDNJ-në. Guximi i Dules për të kërkuar riformatimin e kabinetit, pa përmendur e analizuar fillimisht punë e ministrit të tij, përgjegjësitë që lidhen me një ndër prioritetet e programit të qeverisë, ku është edhe ajo e zbutjes së varfërisë dhe e konflikteve sociale, pa u futur në analizën e atyre që i cekëm përciptaz më sipër, tregon se ka një interes tjetër: Të mos mungojë syri dhe veshi i partisë së minoritetit grek asnjëherë në qeveri. Se për minoritetet e tjera duhet thënë që janë fasadë dhe vetë Dule ka pasur kurajën të thotë se partia që drejton është shprehëse e interesave të minoritetit grek... !

Ne e kemi ndjerë imponimin e fqinjit tonë jugor që një përfaqësues i partisë që ironikisht quhet si mbrojtëse e të drejtave të njeriut, të ketë gjithnjë portofol qeveritar, pavarësisht të majta apo të djathta janë qeveritë, por nuk kemi menduar se duhet dëgjuar deri në nënshtrim sugjerimi që vjen nga kjo parti apo sjellja pa përgjegjësi i saj, sidomos në rastin Bollano! Paradoks politik përtej parashikimeve. Dule nuk e ka problem t‘i kujtojë Kryeministrit që të mos e shqetësojë Bollanon dhe të hyjë garant i së drejtës së tij dhe të mos merret fare me analizën e dështimeve të shumta në dikasterin që u është lënë si parti për t‘u administruar. Në një nga të përditshmet që botohen në Shqipëri ai merr në mbrojtje edhe omoniasin e thekur, madje duke na treguar se ai po godet korrupsionin dhe klientelizmin në zënien e trojeve dhe ndërtimet e paligjshme, e duke shmangur jo pa qëllim angazhimin e çuditshëm të bashkiakut të Himarës në politikën minoritare në kuadër global!!! Ky legjitimitet që i jep vetes Dule, duke harruar se çfarë bën Barka në ministrinë që drejton dhe mbrojtur Bollanon deri në kufij të papranueshëm, tregon se sponsorizimi për të mbajtur me çdo kusht një ministër nga kjo parti u jep një imunitet të tillë zyrtar përfaqësuesve të saj, sa mund të sillen si të duan në parcelat e pushtetit të tyre të pamerituar.

Vetëm largimet e shumta të bëra në Ministrinë e Punës, më shumë se në çdo dikaster tjetër dhe hapja e dyerve për militantët që kanë standard intelektual dhe profesional greqishten, është tregues se sa larg shqetësimit të vërtetë janë kërkesat e Dules për riformatim kabineti. Duart e lira të Bollanos e Barkës sigurisht që e kanë mbrojtjen e tyre politike. Ato i artikulon shefi i tyre i partisë që i nxit edhe për iniciativa që shkelin jo vetëm ligjin, por turbullojnë jo pak edhe politikën dhe tensionojnë marrëdhëniet midis dy shteteve fqinje. Sfida e mbrojtjes së Bollanos vjen në një moment që politika shqiptare e kishte "harruar" atë. Ajo vjen si karshillëk që ka kurajën ta bëjë Dule, i cili me sa duket ka garanci që, edhe në qeverinë e ardhshme të 2009-ës do të jenë të detyruar të përfshijnë përfaqësuesin që do nominojë ai, pavarësisht të majtët apo të djathtët do të kenë të drejtën e formimit të saj. Nuk është aspak rastësi që kryetari i PBDNJ-së nuk rreket fare të modifikojë qëndrimin e tij, por kërkon si diçka shumë legjitime ndryshimin e kabinetit dhe po kaq legjitime bën edhe mbrojtjen e Bollanos. Me sa duket jemi larg ditës kur qeveritë shqiptare do të jenë politikisht korrekte edhe pa përfaqësuesin e PBDNJ-së, që ka liri për të administruar pushtetin përtej ligjeve e normave të shtetit ku bën pjesë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›