E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule largon ministrin nga qeveria

 

ADI SHKEMBI

Largimi i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nga koalicioni i djathtë ka çuar në dorëheqjen e përfaqësuesit të kësaj force nga qeveria. Dje në mesditë Ministri i Punës, anëtar i kryesisë së PBDNJ-së, Anastas Duro është takuar me kreun e qeverisë, të cilit i ka komunikuar vendimin për t’u dorëhequr. Në krye të këtij dikasteri deri më 28 qershor do të jetë zv.ministri aktual i Drejtësisë, Viktor Gumi. “Sot, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, zoti Sali Berisha priti Ministrin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z. Anastas Duro, i cili, duke i shprehur Kryeministrit Berisha vlerësimin më të lartë për bashkëpunimin me Kryeministrin dhe qeverinë shqiptare, paraqiti dorëheqjen e tij, pas faktit se Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut u nda nga koalicioni qeveritar dhe kaloi në koalicionin opozitar”, tha dje gjatë një konference për shtyp zëdhënësja e kryeministrit, Juela Meçani. Sipas saj, kreu i ekzekutivit falënderoi Duron për bashkëpunimin dhe angazhimin e tij si Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe pranoi dorëheqjen e tij nga ky post. “Kryeministri Berisha propozon në postin e Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, zëvendësministrin aktual të Drejtësisë, Viktor Gumi. Ai është i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, si dhe është lektor në shkollën e Magjistraturës dhe në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës. Është anëtar i Bordit të Shkollës së Magjistraturës”, thekoi më tej zëdhënësja e Kryeministrit. Ndërkohë dje rreth mesditës, pak orë pasi kryeministri Berisha kishte propozuar ndryshimin e fundit në kabinetin qeveritar, Presidenti Topi ka dekretuar lëvizjen më të fundit në qeveri. “Në mbështetje të neneve 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës, me propozim të Kryeministrit, dekretoj zoti Anastas Duro, Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, shkarkohet nga detyra. Në mbështetje të neneve 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës, me propozim të Kryeministrit, dekretoj zoti Viktor Gumi, emërohet në detyrën e Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta”, thuhet në dy dekretet e firmosura dje nga kreu i shtetit. Zëvendësimi i ministrave do të votohet në seancën e sotme parlamentare, e cila është edhe e fundit përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›