E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Punësimi në qendër të prioriteteve të programit tonë

 

LSI nisi dje nga Fieri prezantimin e “Planit për Veprim”, i cili i jep përgjigje të gjitha shqetësimeve që kanë sot shqiptarët. Duke detajuar këtë plan, Ilir Meta tha se në rendin e parë të së gjithë këtij angazhimi programor dhe qeverisës të Lëvizjes Socialiste për Integrim, qëndron punësimi. “Ndaj dhe ne prej gati 6 muajsh jemi marrë dhe po merremi seriozisht me këtë çështje, si instrumenti kryesor për të luftuar varfërinë dhe për të garantuar siguri dhe mirëqenie për familjet shqiptare. Vetëm dy javë më parë përfaqësues të industrisë së biznesit që kanë numrin më të madh të punësuarve në Shqipëri, ata të biznesit të fasonëve, që punëson rreth 100 mijë shqiptarë, kryesisht vajza dhe gra, dhanë alarmin se 50 ndërmarrje të prodhimit të veshjeve tekstile, të këpucëve, çantave dhe kështu me radhë, kanë ndërprerë aktivitetin e tyre, për arsye se ndihen në situatë krize. Rreth 11 mijë punëtorë po qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Ndërkohë që Qeveria nuk ka marrë asnjë masë, edhe pse ky lloj biznesi ka muaj që kërkon ndihmën dhe mbështetjen e saj, për të përballuar efektet e krizës ekonomike globale”, tha Meta. Sipas tij, LSI jo vetëm ka një objektiv të arritshëm, që është ai i hapjes së 100 mijë vendeve të reja të qëndrueshme të punës në 4 vitet e ardhshme, por ka  dhe shumë të qartë për të gjithë sektorët se ku mund të hapen këto vende pune, duke filluar që nga bujqësia, që nga agro-përpunimi për të vijuar në të gjithë drejtimet e tjera. Duke dhënë propozimet konkrete Meta propozoi që për çdo biznes të ri që do krijohet në të ardhmen dhe do të punësojë të paktën 5 veta, të përjashtohet nga tatim-fitimi për 3 vitet e ardhshme. “Së dyti, për çdo vend të ri pune që do të hapet në bizneset aktuale bëhet një zbritje nga tatimet të paktën deri në 5 mijë lekë të reja në varësi dhe nevojë të punës. Njëkohësisht, ne jemi shumë të qartë për të përballuar dhe krizën që ka prekur biznesin fason, duke subvencionuar 50 % të sigurimeve shoqërore, për çdo vend pune deri në fund të vitit 2011 e duke përjashtuar nga tatim-fitimi deri në fund të vitit 2010”, tha Meta. Në programin e LSI-së prioritet ka dhe rimëkëmbja e bujqësisë, që sipas Metës duhet të fillojë që nga subvencionimi në masën 25-50 % i inputeve, pra të farërave, fidanëve, pesticideve, i mekanikës dhe kështu me radhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›