Ksera: Tërhiqem nga kandidimi Dule e ka shpërfillur OMONIA-n
Spiro Ksera dorëhiqet nga kandidimi për deputet nën siglën e PBDNJ, Spiro Ksera. Vendimi më i fundit është marrë i diktuar nga zhvillimet e ndodhura këto dy ditë në gjirin e PBDNJ dhe Omonias. Ksera, si një ndër kundërshtarët e aleancës parazgjedhore të PBDNJ, me koalicionin e majtë në zgjedhjet e 28 qershorit, ka ndërmarrë këtë hap në kushtet e një polemike të theksuar mes tij dhe Vangjel Dules gjatë mbledhjes së fundit të kryesisë së kësaj partie në Tiranë, ku me shumicë votash u vendos për daljen në një grupim politik me subjektet opozitare. Si kryetar i OMONIA-s dhe PBDNJ për Gjirokastrën, Ksera ka mbledhur kryetarët e grupseksioneve të komunave minoritare si dhe të zgjedhurit në njësitë vendore, duke i njohur ata me vendimin e dorëheqjes nga kandidimi. Pas këtij takimi, Ksera ka denoncuar vendimin e lidershipit të PBDNJ i cili sipas tij ka qenë absurd për daljen në një koalicion të vetëm me forcat e majta politike. “Nuk është marrë në konsideratë vendimi unanim i OMONIA-s që kjo forcë politike të dilte e vetme në zgjedhjet parlamentare”, u shpreh Ksera. I pyetur nga gazeta “Panorama” nëse do të dorëhiqet nga posti i prefektit, ai u shpreh se “Pres vendimin e kryeministrit, ai më ka emëruar në postin e prefektit, ai më shkarkon”.