Dule shfaqet me koalicionin e PS
Koalicioni “Bashkimi për ndryshim” pati dje daljen e parë publike para mediave. Të pestë përfaqësuesit e lartë të këtij koalicioni janë shprehur të bindur në fitoren e 28 qershorit. Pas dorëzimit të kërkesës zyrtare në KQZ për regjistrimin e këtij koalicioni, që përbëhet nga PS, PSD, PDS,PBDNJ e G99, kreu i PS-së Edi Rama, kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, Kreu i G99 Erion Veliaj, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe sekretari politik i PDS-së, Artur Duçkallari u angazhuan për maksimalizimin e rezultatit zgjedhor. Duke iu përgjigjur interesimit të mediave, kryetari socialist tha se “që sot ky koalicion nis rrugëtimin e tij”. “Dita e djeshme është ngrysur me një incident të qeverisë së Shqipërisë me komunitetin ndërkombëtar. Dita e sotme është gdhirë me një incident të qeverisë së Shqipërisë me shtypin e lirë. Këto janë shenja kuptimplota të panikut, që ka kapur Sali Berishën, i cili për të mbrojtur qeverinë e interesave familjare, po shkel përditë e më shumë në dërrasë të kalbur”, tha Rama.