E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dega e PD-së në Tiranë, zgjedhjet caktohen më 18 maj

 

Kryetari i Partisë Demokratike për degën e Tiranës do të zgjidhet përpara zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryeministri Berisha ka përcaktuar më në fund datën se kur do të zgjidhet pasardhësi i Sokol Olldashit në degën më të madhe të kësaj force politike. Burime nga PD-ja bënë të ditur për gazetën se zgjedhjet për këtë degë do të zhvillohen pikërisht të hënën e ardhshme, në 18 maj, ditën në të cilën skadon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e përgjithshme. Ndërkohë në një nga ditët e ardhshme pritet që të mblidhet edhe kryesia e Partisë Demokratike, e cila do të përcaktojë kandidaturat që do të garojnë në kuvendin e degës. Në nenin 27 të statutit të forcës më të madhe politike në vend, në kapitullin “Kryetari” thuhet se, është pikërisht kryesia qendrore ajo që formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat. Më konkretisht sipas këtij neni, “Kryetari i degës zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga kryesia e PDSH. Kandidaturat e dala për kryetar të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat”. Favoriti kryesor për garën e Tiranës është zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, i cili ka marrë edhe mbështetjen publike të Kryeministrit Berisha. Gjithashtu në garë është ish- ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, i njohur për kritikat e tij të fundit ndaj lidershipit demokrat si dhe Edi Paloka, Lajla Përnaska dhe Gjergj Bojaxhi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›