E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dumani i përmëndi emrin gjatë dëshmisë, reagon Naço: Distancohem nga çdo akuzë, ftoj organet e drejtësisë të hetojnë çështjen

Ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ka reaguar pas përmendjes së emrit të tij nga ana e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili deklaroi se i ka dhënë dhëndrit të vëllait të Naços para për të dalë nga burgu.

Në reagimin e tij Naço thekson se distancohet nga çdo akuzë e bërë publike, ndërsa i bën thirrje organeve të drejtësisë që të kryejnë një hetim të thelluar mbi këtë rast.


Reagimi i Naços:

Jam njohur sot nga mediat ku përmendet emri im. Dua të theksoj se:

 1.Distancohem nga çdo akuzë e bërë publike sot dhe ftoj organet e drejtësisë që të kryejnë një hetim të thelluar mbi këtë rast. Nëse akuzat vërtetohen, organet përkatëse duhet të marrin masa ligjore ndaj çdo personi të përfshirë në këtë çështje.

 2.Roli i Ministrit të Drejtësisë, sipas legjislacionit në fuqi, është i kufizuar. Ministri:

 – Nuk heton,

 – Nuk ngre akuza,

 – Nuk pushon çështje,

 – Nuk jep vendime fajsie apo pafajsie.

Detyra e tij lidhet vetëm me dhënien e lejeve të veçanta për të dënuarit, bazuar në ligj.

 3.Gjatë ushtrimit të detyrës sime si Ministër i Drejtësisë, nuk kam miratuar asnjë leje të veçantë për subjektin në fjalë.

 4.Distancohem nga çdo mashtrim, i bërë nga kushdo, individualisht apo në bashkëpunim, për të dëmtuar integritetin tim. Akuzat publike të bëra sot nuk përputhen me faktet reale të ushtrimit të detyrës sime si Ministër.

Faleminderit!

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›