“Dumani përgjegjës për farsën elektorale”, Berisha denoncon: Rama bleu votat e pensionistëve dhe personave me aftësi ndryshe

Pensionistët dhe personat me aftësi ndryshe u manipuluan për të mbështetur kryeministrin Edi Rama dhe partinë e tij në zgjedhjet e 11 majit, akuzoi të mërkurën kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Kryedemokrati përdori shifra nga zyra europiane për statistikat, Eurostat, për të treguar si krahasohen pensionistët shqiptarë me shtetet e tjera të BE-së dhe si qeveria socialiste e shfrytëzoi dobësinë e tyre financiare “për t’i blerë” politikisht.
“Edi Rama përdori dhuratën 100 euro për pensionistë, për 760 mijë pensionistë, për të ndikuar për votën në një kohë kur unë kam sjellë këtu një statistikë të Eurostatit. Dhe kjo statistikë e Eurostatit tregon se pensionistët shqiptarë në të gjithë Europën janë ata që paguhen më pak se të gjithë të tjerët. Nuk po them se me kështu janë 20–30 herë, por po marr fuqinë blerëse ky është tregues më real – me fuqi blerëse, pensionisti shqiptar është rreth 7 herë nën një pensionist evropian,” deklaroi z. Berisha.
Sipas kreut të Partisë Demokratike, edhe personat me aftësi ndryshe u përdorën për qëllime elektorale shumë afër periudhës zgjedhore, duke u ndihmuar financiarisht ata dhe kujdestarët e tyre.
“Ka shpërndarë si shpërblim 4 mijë lekë apo 40 euro. Një vendim, të cilin e kanë marrë në dhjetor, por e kanë zbatuar pikërisht atëherë kur nuk mund të zbatohej, e kanë zbatuar në fushatën elektorale. Solla këto shembuj për të ilustruar cinizmin ekstrem dhe pashpirtësinë e narkoqeverisë,” tha z. Berisha.
Kryedemokrati u zotua se PD-ja do të mbetet në krah të qytetarëve në Shqipëri, por edhe në diasporë, derisa ata të votojnë realisht të lirë. Ai shënjestroi edhe punën e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, përkatësisht kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, se përmes mbylljes së dosjeve për krimet zgjedhore të denoncuara nga opozita, i ka shërbyer interesave të qeverisë.
“Është pikërisht ky avokat i krimit elektoral pas Edi Ramës, përgjegjësi më kryesor për farsën elektorale,” deklaroi z. Berisha në një konferencë për mediet.
/rtsh.al/