E Diel, 1 Nëntor 2026

Dumreja

Metalurgjiku i Elbasanit vazhdon të nxjerrë tym drejt një qielli vjeshte krejt të kaltër. Por njerëzit duken se nuk e kanë shumë problem. Tashmë janë të gjithë të mësuar me tymin që u nxin "hisen" e tyre të qiellit. Makina, njerëz, lopë, gomerë, shitës ambulantë hurmash, nxënës shkollash, të gjithë kalojnë përbri grumbullit gjigand të godinave me ngjyrë të zezë fare të patrazuar, njësoj sikur të kalojnë përbri një fshati që e njohin jetë e mot. Në anë të tij rrjedh me ritmin shekullor, Shkumbini. Edhe "plaku" nuk ka se si të mos jetë i heshtur. Sikur të kishte gojë e të fliste me siguri do të thoshte se ka parë edhe më mirë edhe më keq, kështu që është e kotë "të bëzash". Në fakt, Metalurgjiku i Elbasanit vetëm sa na shërben si sfond për udhëtimin tonë. Jemi nisur për në Dumre, për në krahinën që, sikur shqiptarët ti vinin veshin të madhit Sami Frashëri, tani do të ishte kryeqendra e vendit. Frashëri pat botuar pa emër në 1899 manifestin e njohur të Rilindjes Kombëtare me titull "Shqipëria ç‘ka qenë, ç‘është e ç‘do të bëhet". Pikërisht në të, veç të tjerash, pat hedhur mendimin se kryeqyteti i shtetit të ardhëshëm shqiptar duhej të ishte diku në Dumre. Disa kolegë, diçka më të rinj se ne, bëjnë shaka pa pushim me këtë punë. "Ja, atje tej do të ishte redaksia jonë, ca më tutje te ata ullinjtë në majë të kodrës do të ishin zyrat qendrore, kurse Presidenca dhe Qeveria do të rrinin më në majë…", por humori kalon shpejt sepse, me të kaluar Cërrikun dhe atë që dikur ishte ferma që varej prej tij, kemi hyrë në portat e Dumresë. Nga Elbasani kemi udhëtuar diçka më shumë se 20 kilometra.

"Liqeni i Kashtës" pa kashtë

Thuajse nga të gjithë njerëzit, që i njohin këto anë, fshati Shalës konsiderohet si "porta e Dumresë". Jo vetëm kaq, por në kohët kur njerëzia nuk i respektonte edhe aq fort ndarjet që vinin nga qeveritë, por më shumë ato që kishin bërë vetë, pra ndarjet me krahina, në këtë fshat ka jetuar jetë e mot, paria e Dumresë. Këtu vinin miqtë e largët, këtu diskutoheshin gjërat e rëndëishme, këtu hapeshin më së pari shkollat dhe zyrat. Këtë e mësojmë sapo takojmë kyetarin e komunës, Vasif Mëhillin. Prej tij mësojmë se Shalësi është qendra e një komune që përfshin afër 7 mijë banorë që jetojnë në 6 fshatra. Sikur për të na e përforcuar atë ndjesinë që duhet të kemi, pra që Shalësi, është njëherazi edhe porta edhe vendi më i njohur historik i Dumresë, Vasifi na kujton se vetëm pak kilometra më në Jug, në Fushën e Pazhokut janë zbuluar disa vendbanime prehistorike. "Duhet të ketë qenë një vend i mbarë për jetesë që prej dhjetra mijra vjetësh", thotë Vasifi. Në fakt, Dumreja, në të cilën porsa po depërtojmë edhe është edhe nuk është një vend i mirë për t‘u banuar. Këtu jeta ka marrë udhë nga një fenomen i rrallë natyror: nga lindja e liqeneve karstikë. Natyra ka dashur që mbi këtë truall gëlqeror dhe në brendësi të tij të formoheshin për mijra e qindra vjet disa hinka të mëdha, të cilat nuk komunikonin me njëra-tjerën. Këto mbusheshin me ujë duke krijuar një hartë të madhe liqenesh të shpërndara në të gjithë Dumrenë. Rreth tyre njerëzit nisën të krijonin vendbanimet e para. Dumreja është një vend i thatë. Mban rekordin për minimumin e reshjeve. Sikur të mos ishin liqenet, këta rezurvuarë të krijuar nga natyra, jeta këtu do të kishte qenë e pamundur.
"Dumreja ka 84 liqene karstike, nga të cilët 6 janë në territorin e komunës tonë - na thotë Vasifi - këta i kanë dhënë jetë krej krahinës. Por në vitet e fundit janë shfaqur edhe rreziqe. Kjo tregon se fenomeni i krijimit të hinkave të reja është ende prezent. Para pesë vjetësh disa shtëpi në një lagje këtu afër rrezikuan seriozisht shembjen. Kemi shpejtuar të mbyllim me inerte grykën e asaj hinke. Vetëm kështu arritëm të shpëtojmë shtëpitë në kohën e duhur. Ca më larg qendrës së fshatit është krijuar një gropë tjetër, por, për fat ajo nuk ka shtëpi afër. Me gjëra të tilla ishin mësuar edhe të parët tanë. Problemi më i madh i krahinës ka qenë thatësira. Aq e rëndë ishte kjo sa që për shumë kohë është pranuar se emri ‘Dumre‘ vinte nga dëshira e njerëve për të rënë shi: pra ‘duam re‘, por më sa duket më i saktë është mendimi sipas të cilit emri vjen nga sllavishtja nga ‘dushkajë‘. E gjithë zona ka qenë thuajse krejt e mbuluar me pyje të vjetra dushku". Pastaj Vasifi dhe të tjerët nisin të kujtojnë se si ka qenë këtu dikur. "Rruga ishte një tunel në mes të një pylli shekullor, asgjë më shumë", na thotë një nga nënpunësit e komunës. Pyjet e Dumresë nisën të priten pa mëshirë atëherë kur rrjeti i hekurudhave nisi të shtrihej në pjesë të gjera të Shqipërisë. Ne nuk e dinim, por e mësuam në Shalës, se traversat e bëra nga trungu i dushkut ishin më rezistentet që përdoreshin asokohe në hekurudhë. Kështu, pak nga pak, pyjet e padepërtueshëm nisën të pakësohen. Pastaj erdhi aksioni i famshëm "tu qepemi kodrave dhe maleve dhe t‘i bëjmë ato pjellore si fushat" dhe këtu historia mbaroi. Dumreja ishte kthyer në një zonë ku nuk të zinte syri pemë për kilometra e kilometra me radhë.
Me miqtë tanë ndahemi në qendër, vetëm pak metra larg zyrave të komunës. Një lapidar i vjetër në anë të rrugës që të shpie në Belsh, mban ende një pllakë që mezi lexohet. Disi me mundim arrijmë të mësojmë se cilës ngjarje i kushtohet. Një traktorist, Ibrahim Peqini, paska dhënë jetën në anë të rrugës teksa orvatej të shpëtonte traktorin e tij që e kishin përpirë flakët. Një plak i moçëm, kush e di se sa kohë ka që tërheq tespiet e tij në krah të lapidarit të harruar. Miqtë tanë na thonë se edhe plaku ka qënë dikur traktorist. Po ne nuk duam t‘ia prishim qetësinë e tij. Edhe për pak kohë sundon heshtja, të cilën e thyen vetëm trokitja e gurëve të tespies: tak, tak, tak… me një ritëm të pandalshëm njësoj sikur të jetë një orë me precizion të lartë. Vetëm pak metra më tej një tjetër lapidar, kujton një tjetër ngjarje tragjike, Një i ri, i kohëve tona, ka humbur jetën këtu në një aksident automobilistik. "Ka raste kur vdekja, dhe jo jeta, i bashkon njerëzit e kohëve të ndryshme", na bie ndërmend, ndërsa pas krahëve tanë vazhdojmë të dëgjojmë tak, tak, tak… Janë tespiet e pandalshme të traktoristit të vjetër.
Liqeni më i njohur i Shalsit është ai që jetë e mot vendasit e kanë quajtur "Liqeni i Kashtës". Kështu e quajnë edhe tani ndonëse për shumëkënd ka ardhur koha që ti ndryshojnë emrin. Liqeni quhej "i kashtës" sepse në anë të tij deri para disa dekadash rriteshin kallamishte pa fund. Natyra, shfrytëzimi i liqenit për vaditje, vetë njerëzia kanë bërë që tani liqeni, dikur i mbushur me kallamishte, të jetë vetëm një sipërfaqe e kafenjtë uji e rrethuar nga toka të punuara. "Me siguri, nuk do të shkojë shumë dhe do t‘ia ndryshojnë emrin", thotë njëri prej nesh si nëpër dhëmbë, teksa bëhemi gati të vazhdojmë rrugën më tej.

Pragbajrami në Belsh

Vetëm një ditë na ndan nga festa e Kurban Bajramit, gjatë së cilës për çdo besimtar të vërtetë - për ata që kanë mundësi sigurisht - është e detyrueshme që të therë një gjë të gjallë. Nuk ka rëndësi se çfarë, a pulë, a viç, a qingj. Mjafton që në këtë ditë të rëndësishme për myslimanët e krejt botës të derdhet gjak dhe mishi të ndahet edhe për më fukarenjtë. Eshtë rituali i vjetër i kurbanit që zë fill që nga kohët e Abrahamit biblik. Ky edhe për pak desh e bëri kurban djalin e tij të vetëm. Mendonte se vetëm kështu do të tregonte devotshmërinë e tij të thellë ndaj Perëndisë. Por Zoti e fali. Në vend të djalit u bë kurban një dele. Që nga ajo kohë, Abrahami, Ibrahimi për myslimanët, vazhdon të frymëzojë me miliona besimtarë në këtë ditë të shënuar. Thonë se është një festë e mbarë kur të nesërmen nis shiu. Ky do ta lagë gjakun e derdhur dhe jeta do t‘i kthehet normalitetit. Por mbi Dumre, thuajse si gjithnjë, nuk shohim asnjë shenjë të shiut të ardhëshëm.
Vetëm pak minuta udhëtim nga Shalësi dhe para nesh shfaqet një pamje tjetër: një grumbull pallatesh e lokalesh që rrethojnë një liqen të madh. Jemi në Belsh. Këtu është qendra e bashkisë me të njejtin emër. Qyteti - sikurse kanë dëshirë ta quajnë vendasit - ka afër 3 mijë banorë. Në të gjithë territorin, që mbulon bashkia, ka diçka më shumë se 13 mijë frymë. Burimet kryesore të të ardhurave janë emigracioni dhe bujqësia. Këtu, që në kohën e Mbretërisë ishte qendra e komunës. Pastaj, mbas 1944 e në vijim filluan të mblidhen banorë nga zona të tjera të afërta, kryesisht nga Gramshi. Belshi u bë qendra e një ferme të madhe që mbulonte një pjesë të mirë të Dumresë historike.
Në qendër të Belshit rrimë një copë herë me një grup mësuesish. Shaka, kujtime, fytyra të qeshura na çlodhin ca, teksa kemi nisur ta ndjejmë disi vapën e Belshit, e cila shfaqet herë pas here edhe në vjeshtën e tretë. Njëri prej mësuesve, muzikant, nuk rresht së rrëfyeri historinë e tij të viteve të fundit. Gjysmë me shaka dhe hera-herës me shumë seriozitet ai na tregon se si e kanë hequr nga puna, se si i ka fituar seancat gjyqësore dhe se si i ka takuar të marrë pagën e dy vjetëve, meqë e kanë hequr nga puna padrejtësisht. "Kam ngritur kaq grupe folklorike, kam marrë pjesë në kaq festivale, kam edhe dy dekorata…", vazhdon ai të përsërisë sa herë që ka mundësi. "Aha, e paske fajin vetë - bën shaka njëri prej nesh - ç‘tu desh ty që punoje kaq shumë? Pastaj, përse thoje që kam dy dekorata!? Pa ta provoje njëherë me një, ose me asnjë fundja. Mbase do të të kishte ecur më mirë". Mësuesi muzikant vë buzën në gaz me trishtim. E ka kuptuar që nuk jemi këtu për hallet e pafund të mësuesve.
Me grupin e mësuesve është edhe Çelik Peqini, miku ynë i vjetër. Çeliku, vendas nga një familje e vjetër, është mësues, historian, gjeograf, por edhe aktivist politik. Bashkë me Çelikun do të shëtisim një copë herë në anët e Dumresë.
Nxënësit e hareshëm që kanë mbaruar mësimin ca para kohe, një parullë e madhe e vendosur nga bashkia dhe disa të rinj, që po pastrojnë oborrin e xhamisë, na e kujtojnë edhe një herë që jemi vetëm një ditë para Kurban Bajramit.

Nëpër Dumre

Me të dalë nga Belshi sytë hasin një kodër të lartë shëkmbore. Eshtë krejt ndryshe nga ajo që kemi parë deri më tani. Nryshe nga ngjyra e kuqe në të portokallinjtë e kodrave dhe tokave të Belshit, ajo ka një ngjyrë gri në të zezë. Duket sikur duar të padukshme e kanë vënë dikur aty. Prej majës së saj shikimi shkon larg, thuajse në të gjithë Dumrenë. Kjo është Gradishta. E përkthyer nga sllavishtja në shqip do të thotë "qytezë". Studiuesit mendojnë se kjo kodër ka qenë e banuar që në epokën e bronxit. Në shekullin e IV para Krishtit ishte vetëm një fillesë e një qyteze të ardhëshme, ndërsa në shekujt në vijim - deri në shekullin I para Krishtit - ishte një qytezë e fortifikuar e parthinëve ilirë që, me sa duket, mbronte njërën prej degëve të rrugës së famshme "Egnatia", e cila kalonte pikërisht mes pyjeve të dendur të Dumresë. Jo shumë larg prej këtej, përballë Gradishtës, ndodhet fshati Hysë. Çeliku na thotë se Hysa është një nga të paktët fshatra në të gjithë Dumrenë që banohet ende vetëm nga banorë të vjetër. Njësoj si një herë e një kohë.
Shumë prej nesh befasohen kur makina nis të udhëtojë nëpër një xhade të porsaasfaltuar. Rruga e re, e gjatë 4 kilometra, e ka ende atë ngjyrën dhe erën që mban asfalti i ri. Të mësuar me udhëtime ndër rrugë të vështira e largojmë disi atë ndjenjën e trishtë që të ngjall udhëtimi nëpër peisazhe ku pemët janë të rralla. Për disa kohë i gëzohemi udhëtimit përmes kodrave dhe liqeneve.
Vetëm pak kilometra mbas Gradishtës ndalojmë në anë të një liqeni. "Këtu jemi në anë të Liqenit të Mërhojës. Ky konsiderohet si njëri ndër më të thellët në krejt liqenet e Dumresë. Thellësia e tij arrin deri në 63 metra. Dikur uji vinte deri këtu ku sot kemi ndaluar ne, por liqeni si shumë të tjerë ka ardhur duke u plakur", na thotë Çeliku gjysmë me krenari dhe gjysmë me trishtim. Këto anë janë vendet ku ai ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij. Janë vendi i tij i jetës, dhe i punës. Mbi ne, majë një kodre, lartësohen shtëpitë e fundit të Seferanit, atij fshati afër të cilit Ceka pati gjetur ato statuetat që i kushtoheshin perëndeshës së pjellorisë të antikitetit.
Pas Mërhorit vjen "Gjoli i Degës". Njësoj si në shumë shumë zona të tjera të Jugut, liqenet në Dumre quhen "gjole". Njëri prej tyre është "Gjoli i Degës". Vërtet i ngjan një dege me shtrirjen e tij më shumë të gjatë se sa të gjerë. Nga larg dallojmë "lëndinat" me zambakë uji. "Deri jo shumë kohë më parë - na thotë Çeliku - zambakët e ujit ishin krenaria jonë. Nuk kishte gjë më të bukur në Dumre se sa koha e çeljes së tyre. Tani janë bërë gjithnjë e më të rrallë. Një nga bimët e tjera që ka nisur të zhduket është gështenja e liqenit. Kjo është një bimë shumë e rrallë. Më kujtohet, që kur ishim fëmijë, vinim dhe mblidhnim prej tyre. Ishte e mbushur me gjemba, por kishte një shije shumë të veçantë, krejt të ëmbël. Po edhe si pemë ishte kurioze. Pa imagjinoni pak, një gështenjë që rritet me rrënjët thellë nën ujë! Tani edhe kjo nuk dihet më se ku gjindet".
Kalojmë në anë të Çepës, një tjetër fshat i njohur I Dumresë. Këtu na bëjnë përshtypje dy shtëpi që janë ngjitur e ngjitur. E para, na kujton se si bëheshin shtëpitë qëmoti në këto anë, me gurët e lidhur me njëri-tjetrin me një baltë të trashë dhe me rripat e drurëve në mes. E dyta është fare e re. Ende është krejt e bardhë dhe duket sheshit se suvaja e saj nuk është tharë mirë. Kush e di se përse të dyja na kujtojnë njerëz: E para një plakë këmbëngulëse, por të fortë dhe që ka plot të thotë, e dyta një nuse të re të hareshme, por edhe pak të nxituar në veprimet e saj.
Të gjithë emrin Fierzë e kemi të njohur nga hidrocentrali mbi Drin. Të gjithë merakosemi sa herë që kuota e liqenit në Tropojë ulet frikshëm, aq shumë sa që të zbehë llampat që ndriçojnë shtëpitë tona. Porse paska edhe një tjetër Fierzë. Kjo ndodhet në Dumre. Bash në fundin e rrugës së asfaltuar të cilën e kemi ndjekur gjatë udhëtimit tonë. Në Fierzë në fillim "na zë belaja". Punëtorët, që vazhdojnë të punojnë në asfaltimin e rrugës, na kujtojnë për kush e di se çfarë grupi kontrolli që ka ardhur të inspektojë punimet. Si e marrin vesh që jemi për tjetër punë në këto anë, atëherë qetësohen dhe shkojnë të rrufisin nga një kafe të shpejtë në një klub të vogël. Nuk ndodh kështu me një vendas i cili na drejothet me një pamje enigatike: Kur të mbaroni punë kthehuni pak te ai karburanti atje. E di, unë e di fort mirë përse keni ardhur. Ua hodhëtatyre po mua nuk ma hidhni dot… Pamja e tij është vërtet prej atyre njerëzve që nuk ua ha qeni shkopin, por meqenëse nuk kemi as më të voglën dëshirë të flasim me njerëz enigmatikë atëherë vendosim të trokasim në portën e parë që na del përpara.
Fierza edne është një fshat i madh, që dikur mbahej nga puna në fermë. Këtu ka pasur shumë të ardhur nga rrethe të tjera. Pallatet tradicionale me tulla të kuqe na kujtojnë një tjetër histori të hidhur. Fierza për shumë dekada ka shërbyer si vend internimi për të dënuarit. Pallateve tani u janë shtuar kopshte e bahçe dhe e gjithë kjo pamje na bën që të ndjehemi gjysmë në qytezë e gjysmë në fshat. Historitë që na thonë dhe qetësia që mbizotëron ngado na bëjnë që ta ndjejmë veten në një vend pa kohë dhe në një kohë pa vend. Thua ta kenë ndjerë veten kështu edhe të inernuarit e shumtë të këtyre anëve?
Nurie Elezi dhe djali i saj, Pëllumbi na presin me krahë hapur. Dumreja është e njohur për mikpritjen e saj tradicionale. Poshtë turrës me lesh të porsakrehur nga Nuria - na thonë që ajo është një mjeshtre e mbaruar e punimit të qilimave - Pëllumbi, traktoristi dhe të tjerët i hyjnë një diksutimi ca të gjatë për hallet e sotme të Dumresë. "Kam mbjellë shumë rrënjë ullinj - thotë Pëllumbi me trishtim - por nuk po më japin prodhim. Ulliri do vaditur more vëlla, do vaditur, përndryshe mbetesh me gisht në gojë. Pastaj, unë jam traktorist. Fshatarët gjithnjë e më shumë po përdorin parmendën e drunjtë. Nuk ia leverdis që të punojnë tokën me traktor. Ne po naftën e marrim shtrenjtë. Hajde gjeje tani se si do të mbahemi".
Një parmendë të drunjtë e kemi hasur gjatë rrugës nga Fierza për në Hardhinë e Bardhë, një tjetër fshat në anë të asfaltit. Një burrë yshte me inat kalin e tij të stërlodhur, ndërsa gruaja vazhdonte të thurte triko mu në mes të arës. Ishte një skenë që nuk e kishim parë që prej shumë kohësh.
Ca më tej na duhet ti lemë lamtumirën asfaltit. Ecim përmes një rruge të mbushur me gurë e me baltë të kuqe. Vetëm brenda pak minutash jemi në Xhaferraj, një lagje e fshatit të madh Rrasë. Poshtë nesh shtrihet vërtet një "rrasë", një fushë e çuditshem në formë hinke. Me siguri është një nga liqenet e tharë kush e di se prej sa kohësh. Në Xhaferraj parmenda e drunjtë porsa është mbështetur në shtëpinë e vjetër të Nazif dhe Razije Xhaferrit. I pari i shtëpisë, Nazifi është ish-qerraxhiu i kooperativës. Eshtë një plak i imët, por shumë i shkathët dhe përherë në lëvizje. Prehja për të duket sikur nuk ka kuptim. Plaku dhe plaka diskutojnë një copë herë nëse duhet tua thonë të gjitha gazetarëve për kohën e kooperativës. Pastaj hezitimi kalon kur ne i themi se "edhe ato që keni bërë asokohe e kanë dëmtuar atë sistem nga poshtë, pak nga pak". Atëherë Nazifi, qeraxhiu, bëhet më i qetë dhe nis të tregojë ngadalë: "Unë kam pasur shumë fëmijë. Ishim shumë të varfër. Aq rë varfër sa që nuk ua pret mendja juve të qytetit. Pastaj kisha edhe nënën gjallë. Ku rrinte dot ajo pa bagëti dhe pa tjerrë lesh! Kjo ishte e gjithë jeta e saj. Unë ditën punoja si gjithë të tjerët. Natën dilja fshehurazi dhe mbildhja, tagji, kashtë, ç‘të mundja. Isha i kujdesshëm. Shkoja nga një rrugë dhe kthehesha nga tjetra. Ǒtju them më përpara… Kështu arrita të mbaj disa bagëti fshehurazi në atë shtëpinëe vjetër që patë pak më parë. Ishte bela e madhe, sepse bagëtia po të mos jetë e ngopur nis e blegërin. Të pinte e zeza atëherë për këto punë. Por kulmi ishte një natë. Ishte dimër, natë e thellë. Unë kisha shkuar të merrja silazh. Nuk e kisha vënë re aspak që gropa ishte plot me ujë. Rashë brenda. Desh u mbyta. Atë të ftohtë dhe atë frikë që kam kaluar atëherë nuk kam për ta harruar. Kështu arrita ta mbaj shtëpinë gjallë. Tani, kanë ndryshuar gjërat. Unë ende punoj përditë. Kush do tani e gjen zgjidhjen".
Ka nisur të ngryset. Njerëzit, portokalllet në bahçe, mullarët, kafshët, makinat, kanë nisur të marrin një ngjyrë të vetme, një si të kuqe në portokalli. Eshtë ngjyra e Dumresë, krahinës që jetë e mot i ka mbajtur sytë nga qielli në pritje të shiut që mbërrin aq rrallë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›