E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika e ndarë në festime, bashkë në Presidencë

Presidenti Bamir Topi vendos të bëjë ndërmjetësuesin mes mazhorancës dhe opozitës për të infiltruar paqen Berisha-Rama në ditën e pavarësisë së Shqipërisë.
Nga ceremonia e festës së pavarësisë në Pallatin e Brigadave, kreu i shtetit lëshon në mënyrë të prerë sinjalin që qeveria dhe opozita duhet t‘i përvishen punës për të realizuar reformat që e afrojnë Shqipërinë pranë Europës së bashkuar. Presidenti jo vetëm e cilësoi 28 nëntorin si një shembull për bashkëpunimin politik, por tregoi se mëritë e vjetra apo ‘konfliktet në heshtje‘ mes ish-miqve të tij të vjetër në Partinë Demokratike kanë marrë fund. Festa e 28 Nëntorit në Pallatin e Brigadave i mblodhi të gjithë politikanët të majtë dhe të djathtë në ceremoninë e Presidentit Topi, por përsëri gjatë këtij aktiviteti mungoi një shtrëngim duarsh mes kryesocialistit Rama dhe Kryeministrit Berisha. "Sa qeveria ashtu edhe opozita duhet t‘i përvishen punës fort për të realizuar reformat. Sot është një ditë feste, por ajo duhet të jetë edhe një ditë e rëndësishme për t‘iu rikthyer shembullit të atyre burrave që u mblodhën dhe i dhanë pavarësinë Shqipërisë", tha Presidenti. Kreu i shtetit theksoi se të gjithë shqiptarët duan që Shqipëria të mbyllë njëherë e përgjithmonë kapitullin e tranzicionit. Duke bërë thirrje për bashkëpunim politik, kreu i shtetit kërkoi që qeveria dhe opozita duhet të shpalosin në Kuvend platformat e tyre për të punuar për të mirën e shqiptarëve. "Sot është një ditë feste, por mund të jetë edhe një ditë për të menduar me ndërgjegje të pastër, për t‘iu rikthyer shembullit të atyre burrave që luftuan për pavarësinë e Shqipërisë", nënvizoi Presidenti. Duke marrë si shembull rastin e 28 Nëntorit 1912, ku të gjithë sipas Presidentit Topi kapërcyen të gjitha pengesat qofshin ato politike, fetare apo krahinore shkuan në Vlorë për t‘i sjellë vendit pavarësinë. Këtë shembull, në mënyrë indirekte, kreu i shtetit ia përcolli kupolës së lartë politike. Meqenëse spektri politik ka ngatërruar këmbët për kërcimin e tangos që do ta çojë vendin drejt integrimit në BE, Presidenti Topi ka bërë thirrjen që qeveria dhe opozita të përveshin mëngët dhe të kryejnë reformat. "Me dëshirën e madhe për të një të ardhme më të bukur, ju uroj të gjithëve gëzuar festën kombëtare të Shqipërisë, ditën e Flamurit dhe ditën e çlirimit", ishte urimi që Presidenti Topi përcolli nga Pallati i Brigadave.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm të gjithë krerët e institucioneve, kryetarët e partive, trupat diplomatikë, biznesmenë dhe gazetarë. "Shqipëria dhe të gjithë ne duhet të tregojmë se ne filluam reformat, hymë në NATO, fituam besimin e BE dhe jemi të aftë të çojmë përpara në Europën e bashkuar vendin tonë të dashur, Shqipërinë. Shqipëria nuk është sot ajo e viteve 1912 dhe 1990. Shqiptarët janë sot më të sigurt", tha Topi. Më tej, Presidenti shtoi se kjo datë e madhe u tregoi popujve të tjerë se ky komb kishte një zot dhe u bëri thirrje shqiptarëve se ky komb kishte nevojë për ata. "Sot, 97 vjet më vonë jemi mbledhur këtu për të festuar këtë ditë të shënuar për të respektuar mundin e atyre që mundësuan pavarësinë e vendit tonë të dashur. Sot Shqipëria dhe shqiptarët janë më të gëzuar dhe të lumtur. Sfidat e Shqipërisë janë sërish të mëdha. Ato janë sfidat e së ardhmes, të demokracisë, të lirisë dhe mirëqenies e integrimit", shtoi kreu i shtetit. "Jam shumë i gëzuar dhe i nderuar që takohemi sërish për të kujtuar ditën tonë të pavarësisë, festën tonë kombëtare. Në historinë e njerëzimit, por sidomos në historinë e një kombi ka data që tregohen dhe për to flitet në mënyra të ndryshme, por për kombin shqiptar 28 Nëntori është një ditë e veçantë dhe na mbledh të gjithëve për të festuar sipas një mënyre të vetme", tha Topi. Sipas tij, "dita e flamurit është data që mblodhi të gjithë historinë e shqiptarëve në Vlorë për të treguar se Shqipëria dhe interesat e saj janë sublime dhe të shenjta. Madhësia e kësaj date qëndron te fakti se të gjithë ata që u mblodhën në Vlorë kishin një qëllim, shkëputjen nga perandoria otomane".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›