Laert Vasili: Vij të flas shqip

Aktori prezantohet për herë të parë para publikut shqiptar, me rolin e Orestit në tragjedinë "Elektra" dhe si shqipërues i veprës. Vasili tregon për përvojën në Akademinë greke të Teatrit. Pse i tha "po" ftesës nga Tirana dhe një opinion pa doreza për kushtet e punës në Teatrin Kombëtar
Aktori Laert Vasili ka një rol me peshë në shfaqjen "Elektra" të Sofokliut, premiera e parë e sezonit për vitin 2010. Regjisori Adonis Filipi i ka ofruar Orestin, djali i komandantit të akejve, Agamemnonit dhe Klitemnestrës.
Ka një rol të vështirë. Personazhi i tij ka një mision: të vrasë të ëmën, dhe të marrë hak për të atin që Klitemnestra e ndihmuar nga Egisti e vrau në banjën e parë pas kthimit në pallatin mbretëror në Mikenë.
Ka dy arsye përse Vasili la disa propozime për të bërë teatër në Athinë, vendi ku jeton prej 16 vitesh, dhe erdhi të punojë në Tiranë për "Elektrën".
"Më ka munguar të luaj në gjuhën shqipe", përmend motivin e parë aktori 35-vjeçar, bashkë me dëshirën për të interpretuar përkrah aktoreve Roza Anagnosti dhe Luiza Xhuvanit. Angazhimi për këtë vepër ka qenë dyfish. Laerti ka bërë përkthimin nga greqishtja në shqipe.
Puna e tij aktoriale dhe gjuhësore ballafaqohet me publikun me 5 mars.
Oresti nuk e tremb Laert Vasilin. Në vitin 2008 e ka interpretuar këtë rol, në amfiteatrin "Epidaurus" përpara 5000 spektatorëve. Forma në vargje, lufta e argumenteve, dialogëve, ballafaqimeve, janë disa nga vështirësitë që ai i njeh tragjedisë që lojës së aktorëve. "Skenat në antikitet janë një lloj gjyqi", i vë vulën ai gjithë shpjegimeve për interpretimin në një tragjedi.
Laert, vjen nga Greqia vetëm për Orestin e "Elektrës". Cilat janë arsyet që pranove rolin?
Kam ikur nga Shqipëria në vitin 1994. Në këto 16 vite më ka munguar të luaj në gjuhën shqipe. Është gjuha me të cilën u rrita. Jam rritur paralel edhe me gjuhën greke, por formimi im, arsimimi kanë qenë në gjuhën shqipe. Dashuritë e mia të para janë shprehur në këtë gjuhë. Është normale dëshira që kam për të interpretuar në shqip. Kjo është arsyeja kryesore. Pastaj, forma në të cilën u bë ftesa nga Teatri Kombëtar, ku fillimisht u kërkua përkthimi i veprës. Duke i ditur shumë mirë të dyja gjuhët, më pëlqeu që mu besua përkthimi i veprës. Kisha një implikim akoma më të madh sesa thjesht të luaja një rol. Për këtë dua të falënderoj drejtorin e Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami dhe regjisorin Adonis Filipi.
Fakti se në këtë trupë, rolin e Elektrës, me të cilën ka të bëjë më shumë Oresti, e luan Luiza Xhuvani, ishte një plus më shumë për të pranuar.
Ç'do të thotë ta sjellësh këtë tragjedi në shqip?
Brezi i ri, nuk e di pse, kopjon, imiton, majmunizon kanalet televizive italiane. Dalin nëpër intervista dhe e flasin shqipen si italianët. Përdorin shprehjet "Unë e kam già pranuar rolin". Po e rrënojnë këtë gjuhë, po i këpusin gjymtyrët.
Pastaj krijohet një "axhutim" që nuk e di ç'do të thotë në shqip, krijohet një "disgustim" që prapë nuk e di ç'do të thotë në shqip. Sigurisht, pata vështirësi në përkthim dhe jam përpjekur jashtëzakonisht të mos ketë asnjë fjalë të huaj. Jam përpjekur ta ruaj rimën, aty ku e ka shkruar Sofokliu. Jam përpjekur të ruaj formën e vargut ashtu siç e ka shkruar Sofokliu. Më ka marrë rreth 3 muaj shqipërimi i veprës.
Cila është përvoja jote në shkollën greke të teatrit?
Akademia e Teatrit Kombëtar në Athinë është një shkollë që të përgatit shumë mirë për antikitetin. Nuk rashë tani në kontakt me Sofokliun, as me rolin. E kam luajtur në një vënie të "Elektrës" në Teatrin Kombëtar në Athinë dhe në Amfiteatrin e Epidaurit në vitin 1998. Dëshira që kjo vepër të tingëllojë shqip dhe malli për të luajtur në gjuhën shqipe, më bën të kapërceja çdo lloj pengese kohore që mund të më krijohej nga kontrata të tjera që unë kam në Athinë. U mundova ta lë veten të lirë dhe të vij për të bërë këtë projekt në Tiranë.
Oresti në skenë do të jetë ekzaktësisht ai që përshkruan Sofokliu?
Nuk është bërë asnjë lloj ndërhyrje, shndërrimi në karakter. Ka vënie "moderne" të cilat e paraqesin Orestin ushtar apo si kitarrist, apo balerin. Teksti i ka brenda të gjitha mundësitë, mjafton ta ndjekësh. Publiku shqiptar nuk është shumë në kontakt me këto pjesë. Jo vetëm në këtë rast, por edhe në rastet të tjera do të ishte mirë që në fillim këto pjesë të viheshin duke i qëndruar besnike tekstit dhe duke gërshetuar epokën në të cilën janë shkruar me të tashmen. Nuk mund të ruhet koha në veshje, as në gjeste. Përgjithësisht, ruhet një lloj forme ndaj klasicizmit, duke ia përshtatur së tashmes. Në shekullin e kaluar në skenat e Evropës shkëlqente Aleksandër Moisiu, i cili ishte i mrekullueshëm për atë epokë. Nëse tani e dëgjon në një kasetë, zërin e Aleksandër Moisiut, duket një mënyrë e mrekullueshme të kënduari. Sot nuk funksionon. Kuptohet që interpretimi është bashkëkohor.
Çfarë kërkon ky rol nga aftësitë e tua?
Aftësitë që i kërkon çdo lloj pjese tjetër. Duhet të jesh i përqendruar, i vërtetë. Aktori duhet ta dijë saktë detyrën përse ka zbritur në skenë. "Elektra" vihet në një teatër të mbyllur. Kështu që dhe nuk kërkohet diçka më tej se kjo. Kur e kam interpretuar në amfiteatrin Epidaurit, duhet të flisja para 5000 spektatorëve.
Oresti është një djalë i ri i mbushur me mllef, me urrejtje, mendon vetëm për t'u hakmarrë. Si mund të arrijë aktori në këto regjistra emocionesh?
Oresti nuk kërkon të hakmerret. Është detyra e tij të hakmerret. Është fati i tij.
Pas vrasjes së Agamemnonit nga gruaja e tij, Klitemnestra, dhe i dashuri i saj Egisti, kushëriri i parë i Agamemnonit, Orestin e largojnë për në Fokidë.
Orestin e rrit kujdestari i tij, duke e mbrujtur me detyrën që i rri e varur si shpata e Demokleut në kokë. "Duhet të kthehesh dhe të vendosësh të drejtën në Argos. Të vrasësh, ata që vranë padrejtësisht, babanë tënd, Agamemnonin. Vrasësja e Agamemnonit është nëna e tij, Klitemnestra". Për të mbrojtur babanë, atij i duhet të vrasë nënën. Është larguar 9 vjeç dhe kthehet 18 vjeç.
Thuhet nga analistët, sidomos gjermanët, që e kanë analizuar shumë mirë antikitetin, që nuk është dora e Orestit që vret Klitemnestrën. Elektra e vret nëpërmjet dorës së Orestit. Këto pjesë janë shkruar mbi risitë dhe zakonet e një shoqërie të asaj kohe. Aktori duhet të hulumtojë që të jetë i qartë përse thuhet një frazë dhe nuk thuhet diçka tjetër, ose përse bëhet një veprim. Do shumë studim, shumë kërkim për të vendosur këtë pjesë në skenë. Këtë fillova ta bëj me detyrim që kur në Akademinë e Teatrit Kombëtar.
Raportet me aktorët e tjerë si duhet të jenë?
Pjesa kërkon një bashkëveprim të gjithë trupës së aktorëve.
Kjo është edhe një nga arsyet se përse pranova rolin, sepse Elektra do të ishte Luiza Xhuvani, Klitemnestra është Rosa Anagnosti. Nuk besoj se ka ndonjë kast më të mirë për këtë vepër. Për të përballuar vërtet këtë betejë me tekstin, me Sofokliun, duhet të jesh i bashkuar. Por nuk qe trupa solide, nuk fitohet kjo betejë, që quhet premierë.
A e përmbush Greqia, Laertin artist?
Do ishte turp të mos isha i përmbushur. Kam qenë dy herë kandidat për Kryqin e Artë, një çmim që i jepet aktorëve deri në moshën 30-vjeç. Kam përfaqësuar Greqinë si aktor në shumë festivale ndërkombëtare. Si regjisor në dy Festivale ndërkombëtare. Në Festivalin e Sarajevës fitova çmimin e parë për krijuesit e rinj me pjesën "Një në dhjetë veta" 2008, e shkuar nga unë. Gjithashtu në Festivalin Ballkanik në 2005-ën me pjesën "Emigrantët" të Saëomir Mroek dhe mora çmimin për "Regjinë më të mirë".
Në vitin 2008, u shpalla artisti i vitit tek çmimet që dha gazeta "Eleftherotypia".
Në teatër kam bërë rreth 25 role. Kam pasur fatin të punoj me Robert Ëilson tek "Persefoni", që është shkëputur nga vargjet homerike. Aty kisha rolin kryesor, Homerin. Me Terzopoulosin tek "Prometeu", "Antigona", tek "Herkuli" i Heiner Müller-it.
Me regjisorin Jorgo Qimulis tek "Edipi tiran", "Volpone" i