E Diel, 1 Nëntor 2026

Durana Tech Park prezanton përvojën në Francë dhe hedh hapin e radhës për zhvillimin e parkut

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Durana Tech Park ka regjistruar 88 kompani rezidente, pesë kompani në proces vlerësimi, 52% të tyre me kapital të huaj dhe rreth 750 të punësuar, duke konsoliduar brenda një periudhe relativisht të shkurtër një ekosistem inovacioni që bashkon kompani shqiptare dhe ndërkombëtare.

Modeli virtual i funksionimit të parkut teknologjik shqiptar është vlerësuar edhe në arenën ndërkombëtare.

Shoqata Ndërkombëtare e Parqeve Shkencore dhe Zonave të Inovacionit (IASP) e ka përzgjedhur Durana Tech Park si një prej modeleve të suksesit ndër parqet teknologjike dhe shkencore nga e gjitha bota, për të prezantuar përvojën e tij në edicionin e 43-të të Konferencës Botërore të Parqeve Shkencore dhe Zonave të Inovacionit, që zhvillohet nga 27 deri më 30 tetor 2026 në Kanë të Francës.

Konferenca ka si mikpritës Sophia Antipolis, një prej ekosistemeve më të konsoliduara të inovacionit në Evropë.

Por, ndërsa modeli virtual po prezantohet në arenën ndërkombëtare, Durana Tech Park po përgatitet për kapitullin e radhës: zhvillimin e infrastrukturës fizike. Më 26 tetor 2026, në kuadër të këtij procesi, u mbajt dëgjesa e parë publike për Vlerësimin Strategjik Mjedisor (VSM) të Planit të Detajuar të Zhvillimit të Parkut Teknologjik dhe Shkencor “Durana Tech Park”, që do të ndërtohet në Xhafzotaj, Bashkia Shijak. Dëgjesa shënon një prej hapave të nevojshëm ligjorë dhe proceduralë për realizimin e projektit, me fokus përfshirjen e aspekteve mjedisore që në fazën e planifikimit të territorit.

Detajet e projektit dhe fazat e zhvillimit të Parkut u prezantuan nga drejtoresha ekzekutive e Durana Tech Park, Florensa Haxhi, ndërsa i pranishëm ishte edhe zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Erlind Sulo. Në fokus ishin aspektet mjedisore të projektit, të trajtuara nga ekspertja mjedisore e pajtuar për këtë qëllim nga Banka Botërore, në kuadër të mbështetjes që po ofron për zhvillimin e Duranës.

Konsultimi bëri bashkë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, përfshirë Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, bashkitë Shijak dhe Durrës, si dhe institucionet përgjegjëse për planifikimin territorial dhe infrastrukturën, si AKPT, AZHT, ARRSH, OST, OSHEE dhe operatorët e tjerë të shërbimeve publike. Në diskutime u përfshinë edhe përfaqësues të Bankës Botërore, bizneseve që operojnë në zonë, përfshirë Vertigo Free Zone dhe Nexus Park Tirana, institucioneve akademike dhe komunitetit vendas.

Rreth 14 hektarë është sipërfaqja që përfshin aktualisht plani i zhvillimit të Parkut. Gjatë prezantimit u shpalos koncepti i një hapësire të integruar, ku teknologjia, kërkimi shkencor, inovacioni dhe sipërmarrja do të ndërthuren me infrastrukturën dhe shërbimet mbështetëse. Krahas karakteristikave territoriale dhe infrastrukturore të zonës, u prezantua edhe perspektiva afatgjatë e projektit, e cila përfshin shqyrtimin e mundësive për zgjerim në pronat shtetërore të Korporatës Shqiptare të Investimeve, me synimin për të krijuar një distrikt më të gjerë inovacioni.

Sa i takon ndikimit që zhvillimi i Parkut mund të ketë në mjedis dhe në komunitetin përreth, prezantimi dhe diskutimet u përqendruan te biodiversiteti dhe habitatet natyrore, përdorimi i tokës, cilësia e ajrit dhe e ujërave, menaxhimi i mbetjeve dhe ndotja akustike. U shpalos se plani synon të sjellë përfitime përtej kufijve të Parkut, duke i shërbyer zhvillimit të të gjithë zonës, përmirësimit të infrastrukturës dhe krijimit të mundësive të reja për bizneset dhe komunitetin që jeton dhe operon në territorin përreth, si dhe duke i kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes së mjedisit, përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe përmirësimit të cilësisë mjedisore të zonës. Këto janë ndër çështjet që do të analizohen më tej gjatë procesit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor, për të identifikuar ndikimet e mundshme që lidhen me zhvillimin e infrastrukturës së re.

Pas kësaj dëgjese, ku institucionet dhe grupet e interesit do të kenë mundësinë të paraqesin vërejtjet, shqetësimet dhe rekomandimet e tyre, të cilat do të merren në konsideratë gjatë përgatitjes së Raportit Paraprak të Vlerësimit Strategjik Mjedisor, procesi do të vijojë me dëgjesën e dytë publike, me qëllim përgatitjen e Raportit Përfundimtar dhe pajisjes me Deklaratën Mjedisore nga Ministria e Mjedisit.

Afati për paraqitjen e komenteve dhe rekomandimeve në këtë faze nga institucionet, komuniteti dhe grupet e interesit është 5 nëntori 2026. Sugjerimet mund të dërgohen në adresën elektronike info@duranatechpark.com.

Kalimi nga funksionimi virtual drejt ndërtimit të infrastrukturës fizike shënon kështu një etapë të re për Durana Tech Park. Synimi është që zhvillimi i një qendre moderne të teknologjisë dhe inovacionit të ecë paralelisht me respektimin e standardeve mjedisore, transparencën ndaj publikut dhe bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse.

Zhvillimi i Duranës po mbështetet nga ekspertiza e Grupit të Bankës Botërore. Parku është përzgjedhur si projekt pilot i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) në nismën për zhvillimin e parqeve ekoindustriale në Ballkanin Perëndimor, e cila mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Në kuadër të kësaj mbështetjeje, është hartuar plani konceptual për zhvillimin më të gjerë të Durana Innovation District, si dhe studimi paraprak i fizibilitetit dhe plani i investimit, të përgatitur nga Ernst & Young për IFC.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›