E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: Realizohet me sukses ndërhyrja në sy e Erjon Vishkullit në klinikën “Gemelli” në Romë

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Erjon Vishkulli, 28-vjeçari i cili u dëmtua në protestën e 24 tetorit, e ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë, e cila i ka shpëtuar syrin.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu e cila i shprehu mirënjohjen profesor Stanislao Rizzos.

“Në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare dhe me mirënjohje të thellë, falënderova profesor Stanislao Rizzon, i cili me profesionalizëm të lartë, përkushtim dhe ndjeshmëri njerëzore kreu me sukses ndërhyrjen, ndërkohë që qeveria miratoi po sot edhe mbështetjen financiare për Erion Vishkullin”, tha Spahiu.

Ministrja Spahiu u shpreh se “përtej dijes dhe aftësisë profesionale, është pikërisht kjo anë njerëzore, bashkimi i forcave te humanizmi që i bën kaq të veçanta këto situata”.

“Erjonit i uroj nga zemra shërim të mbarë dhe forcë në çdo hap të mëtejshëm. Suksesi i ndërhyrjes është një lajm i mirë, ndërsa rrugëtimi drejt rikthimit të dritës së syrit do të vijojë me durim e besim”, tha Spahiu.

Erjon Vishkulli u plagos në sy me një plumb gome në protestën e 24 tetorit. Pas një ndërhyrje në Tiranë, Vishkulli u transportua me një avion çarter mjekësor drejt Italisë.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›