E Diel, 1 Nëntor 2026

Shfryhet propaganda majtiste, BE konfirmon se s’ka kohë për ndryshime në kodin zgjedhor

06-04-2011 / Gazeta 55

Zhvillohet në Bruksel, takimi i 2-të i Komitetit të Stabilizim-Asociimit

Është zhvilluar dje në në Bruksel, takimi i dytë i Komitetit të Stabilizim-Asociimit, në të cilin pala shqiptare u përfaqësua nga ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, ndërsa ajo europiane nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor në drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian, Pierre Mirel. Në këtë takim Komisioni i Stabilizim-Asociimit në BE inkurajoi  partitë politike shqiptare që të zhvillojnë zgjedhjet lokale të 8 majit sipas standardeve ndërkombëtare e të vazhdojnë dialogun e nisur.
Gjatë mbledhjes së dytë në Bruksel të Komitetit të Stabilizim Asociimit, komisioni nënvizoi se ndryshimet e nevojshme në Kod bazuar mbi rekomandimet e OSBE duhet të bëhen menjëherë pas përmbylljes së procesit zgjedhor. Pala europiane theksoi rëndësinë e zhvillimit të zgjedhjeve lokale në respekt të të gjitha standardeve ndërkombëtare.
Në po të njëjtën linjë me OSBE-në, pala europiane u shpreh se “meqë ndryshimet në Kod nuk mund të bëhen në prag zgjedhjesh, inkurajojmë partitë politike të vazhdojnë dialogun e nisur dhe menjëherë pas zgjedhjeve lokale të bëjnë ndryshimet e nevojshme në kod për të reflektuar rekomandimet e OSBE-së”.
Ministrja e Integrimit Bregu, deklaroi se Komisioni për Stabilizim Asociimin në BE  ka vlerësuar  si pikë kyç çështjen e listave të votuesve. Duke iu referuar ankesave të opozitës për manipulimin me kartat e identitetit, komisioni theksoi po ashtu se, “duke u nisur nga shpenzimet e shumta për pajisje që qeveria shqiptare ka bërë për procesin e liberalizimit të vizave, nuk e gjejmë me vend aplikimin e aparateve për verifikimin e kartave të identitetit në qendrat e votimit”.
Në këtë takim u cilësua sukses historik heqja e vizave për Shqipërinë, ndërkohë që u vlerësua po ashtu shumë pozitive situata e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në zonën “Shengen”, përmes monitorimit të vazhdueshëm që po i bëhet Shqipërisë. Gjithashtu, u mirëprit ngritja e një strukture të re të policisë së shtetit dhe u vlerësua progresi në luftën kundër krimit të organizuar, narkotikëve dhe trafikut të qenieve njerëzore.
Komisioni i Stabilizim Asociimit vlerësoi nismat e ndërmarra nga mazhoranca për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve të akuzuar për korrupsion aktiv dhe pasiv. Komisioni mirëpriti gjithashtu miratimin e ligjit për financimin e partive politike, si dhe zbatimin e rekomandimeve të GRECO. Midis të tjerave, u vlerësuan gjithashtu edhe përpjekjet e qeverisë kundër diskriminimit të komunitetit rom, ligji antimafia, reforma në administratën publike dhe në mënyrë të veçantë zbatimi i mirë i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Gjithashtu gjatë takimit në Bruksel u vlerësua me tone të larta qëndrueshmëria ekonomike në Shqipëri, rritja e konkurrencës në treg si dhe politikat fiskale të ndjekura nga qeveria, duke përmendur këtu edhe ligjin për amnistinë fiskale. Për sa i përket kriterit ekonomik, u vlerësua maksimalisht edhe qëndrueshmëria ekonomike, rritja e konkurrencës në treg, si dhe politikat fiskale të ndjekura nga qeveria.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›