Krasniqi takoi përfaqësues të hebrenjve të Kosovës
Ministri Krasniqi tha se komuniteti hebre ka dhënë një kontribut të madh në ndërtimin e paqes dhe tolerancës në Kosovë. Ai tha se trashëgimia hebraike në Kosovë është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore e fetare të Kosovës.
Trashëgimia kulturore e fetare, tha ministri, është një pikë afruese mes qytetarëve dhe jo ndarjeje, siç ka ndodhur në të kaluarën. Komunitetit hebre, ministri Krasniqi i shprehi përkrahjen dhe bashkëpunimin e plotë në krijimin e hapësirës dhe kushteve për realizim të qëllimeve për paqe dhe tolerancë.
Nga ana e tij, Votim Demiri ka falënderuar ministrin Krasniqi për mbështetjen e dhënë deri më tani si dhe për përkushtimin e treguar që mbështetja dhe bashkëpunimi të rritet. Me këtë rast ia ka dorëzuar ministrit një mirënjohje për kontributin në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë hebraike.
Demiri shprehi konsideratat me të larta për reagimin e shpejtë të MKRS-së për të kthyer në gjendje të mëparshme varrezat e hebrenjve në Prishtinë, të cilat ishin dëmtuar me ngjyrë.