Duro: Apoel-i? Kualifikimi i vështirë!
Titulli kampion e ka vendosur Skënderbeun përballë historisë, pasi skuadra korçare do të luajë për herë të parë që nga krijimi i saj në Champions. Një aventurë që nuk do të nisë aspak lehtë, pasi shorti i ka rezervuar në raundin e parë një skuadër të fortë si Apoel Nikosia. Këtë e di mirë trajneri Shpëtim Duro, i cili skanon rivalët e ardhshëm në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit europian. “Patjetër që është një short shumë i vështirë me një skuadër të fortë që sidomos këto vitet e fundit ka një ngritje të padiskutueshme, investime në skuadër. Skuadër që ka shkuar deri në fazën e grupeve. Pra, është tregues se është një skuadër shumë e fortë”-thotë Duro. Skënderbeu do të nisë aventurën në Ligën e Kampioneve më 12 Korrik me ndeshjen e parë në Korçë. Duro qëndron me këmbë në tokë: në fushën e saj skuadra korcare duhet të bëjë një paraqitje sa më të mirë, ndërsa për kualfikimi do të jetë shumë i vështirë. “Ne jemi një skuadër përfaqësuese e futbollit shqiptar dhe është eksperienca jonë e parë në evenimente europiane dhe të thuash që do të kalojmë turin, është e vështirë, por ne do të mundohemi të bëjmë një paraqitje sa më të mirë, sidomos në ndeshjen e parë në Korçë”-thekson ai. Skënderbeu do të zhvillojë fazën përgatitore në Austri, ndërsa vazhdon të jetë aktiv në merkato për të forcuar skuadrën në prag të Ligës së Kampioneve. Në provë është mbrojtësi spanjoll Robles, ndërsa korçarët kërkojnë edhe sulmuesin e Tiranës, Pero Pejiç.