Duro: Asnjë hakmarrje ndaj Skelës, e kam mikTë mërkurën, duel fantazie mes kuqezinjve. Ndeshen Omonia e Kotbusi. “Kam sakrifikuar më shumë në Kombëtare, por jemi shumë shokë”

Jetmir Halilaj (Panorama Sport) - Me Ervin Skelën ka një raport të mirë, madje përveçse në Kombëtare, kanë qenë bashkë shokë skuadre edhe tek Arminia e Bielefeldit disa vjet më parë. Klodian Duro dhe mesfushori vlonjat kanë karakteristika të ngjashme, por futbollistit të Omonia Nikosias i është dashur të sakrifikojë më shumë në radhët e përfaqësueses shqiptare. Më 14 janar skuadrat e tyre, Energi Kotbusi dhe Omonia Nikosia do të përballen me njëra-tjetrën dhe Duro (ne foto me Robinjon e Mancester Sitit) mezi pret një sfidë, qoftë edhe miqësore me Skelën. “Nuk kam luajtur asnjëherë kundër tij. Me Ervinin kam raporte të shkëlqyera, por më duket emocionuese një përballje me të, edhe pse bëhet fjalë për një miqësore”, ka thënë Duro për “Panorama Sport”. Mesfushori rrëfen edhe periudhën e shkëlqyer që po kalon në kampionatin qipriot.
E keni nisur mjaft mirë vitin 2009, sepse fituat me Atromitosin bindshëm, por edhe në aspektin personal arritët të jepnit tre asiste në pesë golat që shënoi Omonia...
Po, është e vërtetë. Jam në një formë të shkëlqyer dhe e kemi nisur siç duhet vitin e ri. Personalisht ndihem mjaft mirë këtu dhe ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme që të dëgjoja tifozët në fund të ndeshjes të thërrisnin shumë herë në kor emrin tim. Kam fituar zemrat e tyre dhe përveç kësaj, kam arritur të shprehem mjaft mirë në fushë. Nuk mund të prisja më shumë se kaq.
Kjo do të thotë se çështja e merkatos është e mbyllur për ju dhe do të qëndroni përfundimisht tek Omonia?
Nuk i dihet asnjëherë, por unë jam shumë i kënaqur që jam pjesë e kësaj skuadre. Jemi në vend të parë dhe gjithashtu, pretendentë për titull. Kam siguruar një vend titullari dhe kam shënuar disa gola. Kam fituar gjithashtu, edhe respektin e tifozëve. Mendoj se edhe për moshën që kam, ky është momenti dhe klubi ideal për mua.
Më 14 janar është projektuar një miqësore me Kotbusin e Skelës dhe Omonias. Ju do të jeni në fushë për të sfiduar Ervinin?
Ne kemi shumë impenjime këtë javë. Të martën do të luajmë një ndeshje të vlefshme për Kupën e Qipros, ndërsa në fundjavë do të luajmë derbin me Apoel Nikosian. Parimisht është rënë dakord që Omonia të luajë me skuadrën e dytë kundër Kotbusit, por nuk përjashtohet mundësia që të luaj disa minuta në këtë ndeshje. Nuk kam luajtur asnjëherë përballë Ervinit, përkundrazi, në pjesën më të madhe kemi qenë shokë skuadre si në Kombëtare, ashtu edhe tek Arminia. Mendoj se do të ishte emocionuese.
Në kombëtare, megjithëse keni karakteristika të ngjashme, keni sakrifikuar më shumë ju se Skela. Shpesh keni luajtur edhe si mesfushor krahu, apo edhe mbrojtës krahu, ndonëse vetë keni pohuar se jeni një numër ‘10’ i mirëfilltë. A është ky rasti për një “hakmarrje” të vogël ndaj Skelës?
Jo, kurrsesi. Nuk ka fare hakmarrje në këtë mes. Është e vërtetë që kam sakrifikuar shumë në Kombëtare, por me Ervinin kam raporte të shkëlqyera. Ai është një djalë dhe një futbollist shumë i mirë, ndaj nuk ka arsye pse të kem mllef apo kunja me të. Thjesht do të doja të isha në këtë takim, sepse përballë do të kem një mik timin, asgjë më shumë.
Si i shikoni dy ndeshjet e radhës të Kombëtares, ato kundër Maltës në shkurt dhe Hungarisë në mars?
Janë dy ndeshje të vështira dhe duhet t’i përgatitim me kujdes. Malta duhet vlerësuar maksimalisht, sepse një fitore në transfertë ndaj tyre, jo vetëm do të na ngjiste në krye të tabelës, por do të na lejonte të jemi në valle për kualifikimin dhe gjithashtu, do të luanim me shumë qetësi edhe ndaj Hungarisë, ku patjetër synojmë tri pikët. Personalisht shpresoj të jem në formë dhe nëse i bëjmë gjërat siç duhet, jam i bindur se mund të marrim maksimumin e pikëve. Tifozët e Kombëtares e meritojnë këtë.
Te Tirana, ekip me të cilin luajtët deri sezonin e kaluar, thuhet shpesh se i mungon një lojtar që të zgjidhë ndeshjen si Duro, Muka apo Sinani. Ju si mendoni?
Nuk dua të jap komente për këtë gjë, kjo edhe për shkak të disa motiveve që dihen tashmë. Unë mund të them vetëm se jam i bindur që Tirana do të fitojë titullin dhe gjithashtu, u them të gjithë tifozëve bardheblu se jetoj çdo ditë mendjen te kjo skuadër. E ndjek me vëmendje ecurinë e ekipit dhe kam bindjen se në fund do të shpallen kampionë.
DETAJET
Ndeshja
Takimi miqësor mes Omonia Nikosias dhe Energi Kotbusit është programuar
të zhvillohet më 14 janar në Nikosia. Kotbusi ndodhet në Qipro për të
kryer fazën përgatitore dhe Skela sipas të gjitha gjasave do të luajë,
ndërsa prezenca e Duros në fushë nuk është konfirmuar. Kjo është hera e
parë që dy lojtarët përballen me njëri-tjetrin.
Derbi
Në fundjavën e ardhshme Omonia Nikosia do të luajë ndeshjen derbi
kundër Apoel Nikosias, aty ku aktivizohet mesfushori Altin Haxhi. Tek
Apoeli është zv/trajner i skuadrës, ish-kapiteni i Shqipërisë, Foto
Strakosha. “Do të më pëlqente më shumë të fitoja derbin me Haxhin,
sepse është një ndeshje shumë e rëndësishme kampionati. Ajo kundër
Skelës është thjesht miqësore”, ka thënë Duro.
Dëshira
Dëshira e Klodian Duros për vitin 2009 është që të shpallet kampion i Qipros me Omonian dhe gjithashtu, me Kombëtaren të mund të marrë 6 pikë në dy ndeshjet e radhës. “Mendoj se ky është një moment i jashtëzakonshëm për mua. Shpresoj që të fitoj titullin kampion dhe në dy ndeshjet e radhës të marrim pikët maksimale me Kombëtaren”, ka thënë Duro.
Konkurrenca
Skuadra e Omonias ka bërë disa blerje të reja në merkaton e janarit, ku është afruar edhe një mesfushor me tipare sulmuese. “Konkurrenca është shtuar ndjeshëm, por kjo nuk më shqetëson, sepse tani kam akoma më tepër besim në vetvete dhe jam i bindur se mund t’ia dal mbanë, për të ruajtur vendin e titullarit në ekip”, është shprehur Duro.
NUMRAT
1
Duro e Skela kanë luajtur një sezon bashkë në Bundeligën 1 gjermane. Në edicionin 2004-2005 ata janë aktivizuar të dy te skuadra e Arminia Bielefeldit.
5
gola ka shënuar Klodian Duro këtë sezon në kampionatin qipriot me Omonian Nikosian. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka shënuar edhe dy gola në Kupën UEFA.
2
vjeçare është kontrata që ka nënshkruar Duro me Omonian dhe përfiton 500 mijë dollarë nga marrëveshja që ka me klubin. Duro ka lënë të kuptohet se nuk ka dëshirë të ndryshojë ekip.
4
ndeshjet eliminatore që ka zhvilluar Kombëtarja këtë edicion, si Duro, ashtu edhe Skela kanë luajtur si titullarë. Ata cilësohen si dy futbollistë të rëndësishëm të kuqezinjve.
E Hene, 12 Janar 2009