Isli Hidi në versionin “ishullor” Portieri kuqezi tregon për eksperiencën në Qipro, ndryshimet me Ukrainën dhe përballjen me Duron

Jorgis Memo (Sporti Shqiptar)- Kur kaloi tek Alqi Larnaka, u duk se po shënonte një ulje në karrierën e tij, duke pasur parasysh se ishte pjesë e ekipit ukrainas, Krivbas, ku luajti për disa muaj, bashkë me Henri Ndrekën, Ervin Bulkun dhe Dorian Bylykbashin.
Megjithatë, vetë portieri i kombëtares, Isli Hidi, nuk është aspak i penduar për zgjedhjen që ka bërë. Thotë se ndihet mirë në kampionatin qipriot, por kurrsesi nuk do ta refuzonte një lëvizje të mundshme drejt një klubi më të madh. Si titullar i Alqit, 28-vjeçari i ka provuar të gjitha, madje së fundmi mori edhe kartonin e parë të kuq për këtë sezon.
Për eksperiencën e deritanishme në ekipin ishullor, ku bën pjesë bashkë me mbrojtësin kosovar, Blerim Rustemi, kampionatin qipriot dhe ndryshimet nga ai i Ukrainës, por jo vetëm, ish-portieri i Tiranë i tregon në këtë intervistë për “Sportin shqiptar”.
- Isli, prej disa muajsh jeni pjesë e Alqi Larnakës. Mos ndoshta jeni penduar për këtë zgjidhje që keni bërë?
- Jo, jo, absolutisht nuk jam penduar. Për momentin ndihem mirë në Qipro. Natyrisht që ka edhe më mirë, por duke parë, duke bërë. Kam nënshkruar një kontratë dyvjeçare me Alqin dhe jam i kënaqur për vlerësimin që më është bërë nga klubi. Çdo futbollist ka dëshirë të jetë në një ekip sa më të mirë dhe personalisht mund të them se për momentin nuk kam ndonjë gjë konkrete, për sa i përket ndonjë lëvizjeje të mundshme.
- Keni lënë Ukrainën për të shkuar në Qipro. Cilat janë ndryshimet e dy kampionateve?
- Ekipet e para në Qipro, si Omonia, Anorthosis dhe Apoel, mendoj se janë në një nivel me ato elitare të Ukrainës, Shahtjor, Dinamo etj. Ndërsa për ekipet e tjera që renditen më poshtë, mund të them se këtu në Qipro, ndryshimi është se futbolli në krahasim me Ukrainën, është më teknik.
- Keni humbur miniderbin me Klodian Duron, ndërkohë që ndaj Apoelit u ndëshkuat me një karton të kuq?
- Para ndeshjes i thashë Duros që nuk ke shans të shënosh në portën time. Ashtu ndodhi, edhe pse Klodi goditi shtyllën. Ne humbëm minimalisht, pasi pësuam një gol të shpejtë dhe më pas u munduam të reagonim. Për sa i përket kartonit, mendoj se nuk e meritoja, pasi sulmuesi simuloi dhe gjyqtari nuk e pa, duke më ndëshkuar direkt.
- Pse edhe në Qipro gjyqtarët një nivel me Shqipërinë?
- Pa asnjë ndryshim, njësoj si në kampionatin shqiptar. Bëjnë shumë gafe, duke dëmtuar kryesisht këto ekipet e ashtuquajtura të vogla.
- Na flisni pak për marrëdhëniet me lojtarët te Alqi, ku luani bashkë me Rustemin?
- Jemi një ekip shumëkombësh, por kemi marrëdhënie shumë të mira me të gjithë. Personalisht, qëndroj me Rustemin, duke qenë se jemi shqiptarë, por gjithashtu një pjesë të mirë të kohës e ndajmë edhe me tre lojtarë portugezë, që kemi në ekip. Janë Manuel Nadinjo, Luis Andrade dhe Patricio Egdar.
- Po qyteti i Larnakës si ju duket?
- Eshtë një qytet i vogël, por shumë i bukur. Më shumë është një vend turistik, me njerëz normal, por që janë shumë të dhënë pas futbollit, duke e përkrahur skuadrën e tyre.
Marre nga: sportishqiptar.com.al
E Hene, 12 Janar 2009