Duro: “Corri, një talent që ia vlen”

-Shpëtim Duro, trajneri i Kombëtares U-17 të Shqipërisë ka mbetur shumë i kënaqur nga paraqitja e dy lojtarëve të rinj shqiptarë, Andi Corri dhe Luigji Leka, të aktivizohen respektivisht me ekipet U-17 të Milanit dhe të U-17 të Padovës.
Pas kthimit në Tiranë, Duro u shpreh për Albania-sport.com: "Ishin dy lojtarë që paraqesin interes, sidomos mbrojtësi Corri, i cili bëri një figurë të mirë në ndeshjen Padova-Milan, pavarësisht se takimi u fitua nga Padova me rezultatin 3-1".
Në turneun e Veronës, që u zhvillua nga data 28 prill deri më 2 maj, morrën pjesë ekipet U-17 të Arsenalit nga Anglia, Bajerni i Munihut nga Gjermania, Akademik i Moskës si dhe ekipet italiane të Milanit, Juventusit, Atalantës, Padovës, Vicencës dhe Kievos.
Trajneri Duro shton se FSHF-ja do ta ndjekë Corrin në vazhdimësi, pasi bën pjesë në ekipin e moshave të një klubi të madh si Milani. "Këtë detyrë e ka marrë përsipër menaxheri i FIFA-s, Sokol Haxhia, i cili jeton në Itali. Ai ka në vëzhgim edhe të rinj të tjerë shqiptarë që aktivizohen në ekipet e moshave në skuadrat e tjera italiane, kështu që i lamë porosi për të sjellë të tjera informacione për lojtarë të datëlindjes 1991, pasi jemi dhe në prag eliminatoreve të Kampionatit Europian 2007".
Shqipëria do të organizojë në datat 22-28 tetor 2007 takimet e Grupit 10 ku marrin pjesë Holanda, Franca dhe Letonia.