Duro: Do të bashkëpunojmë me Republikën Popullore të Kinës në fushën e punësimit

Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro priti sot në në një takim Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës Popullore të Kinës, Ëang Junling, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe rrugët e forcimit të tyre, veçanërisht në fushën e punësimit, çështjeve sociale, sigurisë dhe shëndetit në punë. Sipas zyrës së shtypit në MPÇSSHB, ambasadori Junling vlerësoi kontributin që Shqipëria ka dhënë në mënyrë të veçantë në pranimin e Kinës në familjen e OKB-së. Ministri Duro u ndal në nivelin e bashkëpunimit në fusha të tilla si tregu i punës, duke nënvizuar "tashmë është momenti më i mirë për firmosjen e protokollit të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe ministrive përkatëse në këtë fushë. “Draft-Protokolli tashmë ka përfunduar dhe firmosja e tij në një kohë sa më të shpejtë do të sillte një nivel të ri bashkëpunimi mes dy vendeve tona në fusha me interes reciprok”, u shpreh Duro. Ai e informoi Ambasadorin rreth iniciativave ligjore që ka ndërmarrë dhe po ndërmerr qeveria shqiptare për të lehtësuar biznesin, veçanërisht atë të huaj, si dhe për lehtësimin e procedurave për lëshimin e lejeve të punës për të huajt që punojnë në Shqipëri. Ambasadori shprehu bindjen se investimet kineze do të pësojnë hop të ri në të ardhmen, falë angazhimit të të dy vendeve dhe bashkëpunimit në rritje.
...