KQZ vendos me short anëtarin e shtatët të KZAZ-së

Anëtari i shtatë i Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) me numër rendor tek do të propozohet nga Partia Socialiste, ndërsa ai me numër rendor çift nga Partia Demokratike. Kjo u vendos në përfundim të hedhjes së shortit për përcaktimin e partisë që do të propozojë anëtarin e shtatë të Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), që u zhvillua sot në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ). Në këtë mënyrë plotësohet numri i anëtarëve në 66 KZAZ në shkallë vendi. Gjashtë anëtarët e parë në çdo KZAZ i përkasin përkatësisht 2 PD-së, 2 PS-së, 1 PR-së dhe 1 PSD-së. Ndërsa anëtari i shtatë i KZAZ me numër rendor tek, si nr.1, n.3, nr.5 etj., do të jetë i PS-së dhe ai i KZAZ me numër rendor çift, si nr.2, nr.4, nr.6 etj, do të jetë nga radhët e PD-së. Pas konstituimit të tij, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka marrë deri tani disa vendime të rëndësishme, përsa i përket përgatitjes së zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit. Fillimisht KQZ ka përcaktuar hartën e re elektorale në gjithë vendin, në bazë të së cilës 140 mandatet e Kuvendit të Shqipërisë janë ndarë në 12 zona zgjedhore, ashtu siç e parashikon edhe Kodi i ri Zgjedhor.
...