Në mars do të kryhen dy tranplantet e para të veshkave në QSUT

Për herë të parë në një spital publik, një grup mjekësh shqiptarë nën asistencën e mjekëve italianë, do të bëjnë falas dy transplante të veshkave për dy vajza të reja. "Klinika Urologjike në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë po përgatitet për të bërë ndërhyrjen e parë kirurgjikale me dy transplante të veshkave në datat 25 dhe 26 mars", bëri të ditur të sot Shefi i Nefrologjisë në QSUT-së, Prof. Dr. Nestor Thereska. "Ekipi i mjekëve shqiptarë, i përbërë prej 6 neurologë, 3 imunologë dhe 5 nefrologë, është gati për realizimin e këtyre ndërhyrjeje", tha Prof. Dr. Thereska. Sipas tij, ekipi do të asistohet nga 3 mjekë italianë të klinikës së Barit (Itali).
Prof. Dr. Thereska pohoi se "një transplant do të bëhet tek një vajzë 20 vjeçare, ku dhurues është babai 50 vjeçar, ndërsa tjetri tek një vajzë 21 vjeçare, me dhuruese nënën e saj 50- vjeçare". Transplanti i veshkave, si çdo operacion tjetër në QSUT, ofrohet falas për qytetarët. Këto ndërhyrje kirurgjikale realizohen në kuadër të Programit INTERREG III, financuar nga Komuniteti Europian. Sipas mjekëve urologë, kanceri i veshkës po njeh rritje të dukshme gjatë viteve të fundit. Në Klinikën e Urologjisë pranë QSUT-së kryhen rreth 50 operacione në ditë, ku grup-mosha më e prekur është 40-60 vjeç, por nuk mungojnë dhe grupmoshat më të reja. Sipas mjekëve urologë, faktori gjenetik ka rolin e tij në kancerin e veshkave, por ka dhe faktorë të tjerë determinues. Në Klinikën e Urologjisë pranë QSUT-së kryhen rreth 2 mijë operacione në vit, nga më të thjeshtat, deri tek më të vështirat për të gjitha grupmoshat, krahas trajtimit me sukses të sëmundjeve të tjera të Urologjisë.
...