Kola: “Çdo ndeshje për ne si një finale”
Me gjashtë ndeshjet e ditës së shtunë nis edhe java e 23-të e Kategorisë Superiore, akti i tretë dhe i fundit i Superligës, ku do të jepen edhe verdiktet e Kampionatit të 70-të Kombëtar të Futbollit. Tirana kryesuese do të presë në shtëpi Lushnjën e vendit të fundit, me të cilën para një jave barazoi pa gola në transfertën e “Roza Haxhiut”, ndërkohë që Vllaznia (po me 41 pikë sa bardheblutë) do të presë në “Loro Boriçi” Bylisin e Ballshit.
Trajneri i Tiranës, Agustin Kola, gjatë një interviste për “Ora Sport” foli për herë të parë për marrëdhëniet e tij me donatorët e Tiranës si dhe gjendjen e ekipit që ai drejton në prag të takimit të radhës me lushnjarët
Kola, një Tiranë që nuk shënon, ç’po ndodh?
Unë mund të them se deri tani Tirana ka luajtur mjaft mirë, është e vërtetë që kemi disa minuta pa shënuar, por mos harrojmë se është po kjo Tiranë që thoni ju pa shënuar që sot kryeson renditjen. Ishte kjo Tiranë shtatë pikë para, pastaj në rrugë e sipër e dyta, ndërkohë që tani jemi të parët.
Por sulmi nuk po shënon, ky është fakt tani?
Mos harrojmë se kemi pasur edhe ndeshje të kupës. Kemi zhvilluar shumë ndeshje të mira edhe në kampionat, sigurisht që kjo është lodhje, pasi ne jemi një skuadër me pretendime dhe synojmë edhe kupën, edhe kampionatin. Mendoj se shumë shpejt edhe sulmi do të shënojë, pastaj mos të harrojmë se sulmuesit tanë kanë shënuar dy gola që janë anuluar e kemi goditur edhe shtylla.
Si i shikoni ndjekësit tuaj, pasi tani është në lojë edhe Dinamo?
Unë e kam thënë edhe e them sërish, që i vlerësoj rivalët. Sigurisht, Vllaznia dhe Dinamo janë rivalët tanë kryesorë. Në luftën për titull tashmë janë vetëm këto tri skuadra. Unë mendoj se detyra e Tiranës është të shohë veten e saj. Nëse fitojmë çdo ndeshje, atëherë nuk kemi pse kthehemi pas dhe të shohim ç’bëjnë rivalët tanë. Ne kemi objektivat tona dhe duhet të shohim çdo ndeshje si një finale.
Nëse nuk fitoni ndaj Lushnjes, mund të shkarkoheni?
Unë mund të them që Tirana do të japë maksimumin pasi në çdo ndeshje e vlerësojmë njësoj pavarësisht se është Lushnja apo ndonjë tjetër. Pastaj presioni se do të largohem apo gjëra të tjera, që shkruhen nëpër gazeta, mendoj se janë mediatike. Detyra ime dhe e Tiranës është vetëm të fitoj çdo ndeshje.
Kola, është folur në media se keni përplasje me donatorët, më saktë me zotin Halili. Si qëndron e vërteta?
Nuk janë të vërteta. Unë kam marrëdhënie normale me donatorët, edhe me zotin Halili që me ofroi këtë post. Jo vetëm unë, por edhe lojtarët kanë marrëdhënie mjaft të mira. Unë e kam thënë dhe e them sërish, media është e lirë të aludojë ç’të dojë, unë si trajner i Tiranës vazhdoj të bëj punën time dhe me këtë rast dua të falënderoj edhe donatorët, edhe zotin Halili, që kanë mbështetur dhe mbështesin ekipin pa asnjë dyshim.
Java 23, ndeshjet, gjyqtarët, statistikat
Java e parë e fazës së tretë ofron në dukje sfida të lehta, pasi përballen gjashtë ekipet e renditura më mirë (1-6), me ato të katit të poshtëm (7-12) të Kategorisë Superiore. Gazeta “Albania” paraqet ndeshjet e javës së 23-të dhe statistikat e gjyqtarëve gjatë këtij sezoni.
TIRANA-LUSHNJA
Artan Taullau (8 ndeshje të gjykuara gjatë këtij sezoni) është i përzgjedhuri i shortit të takimit kryesues të Superligës me Lushnjën e vendit të fundit. Gjyqtari i kolegjiumit të kryeqytetit ka drejtuar më parë Tirana-Flamurtari (3-1). Edhe verdhjeshilët i ka drejtuar vetëm një herë: Lushnja-Vllaznia (1-4).
VLLAZNIA-BYLIS
Enea Jorgji (asnjë ndeshje këtë sezon) do të gjykojë takimin Vllaznia-Bylis.
DINAMO-APOLONIA
Albano Janku (13 ndeshje) do të gjykojë takimin Dinamo-Apolonia, gjë që e ka bërë edhe në përballjen e tyre të fundit midis dy ekipeve: Dinamo-Apolonia (3-2), java e 20-të. Ndërkombëtari me stemën e FIFA-s ka drejtuar edhe Dinamo-Teuta (0-0) e Dinamo-Besa (4-2), si dhe Partizani-Apolonia (0-1) dhe Apolonia-Partizani (3-1).
SHKUMBINI-FLAMURTARI
Kridens Meta (14 ndeshje) është gjyqtari i ndeshjes Shkumbini-Flamurtari. Tiranasi i ka gjykuar edhe në fazën e parë këto dy ekipe: Flamurtari-Shkumbini (0-0). Meta i ka gjykuar peqinasit edhe në Besa-Shkumbini (2-0) dhe Apolonia-Shkumbini (0-1), ndërsa vlonjatët në Apolonia-Flamurtari (1-1) dhe Flamurtari-Teuta (1-1).
BESA-ELBASANI
Edvin Hoxha (4 ndeshje) është “xhaketa e zezë” e sfidës Besa-Elbasani. Lezhjani ka gjykuar Apolonia-Elbasani (2-2), të vlefshme për javën e 12-të, duke dhënë shtatë kartonë të verdhë. Hoxha nuk e ka drejtuar në asnjë ndeshje të mëparshme Besën e Kavajës për sezonin aktual. Takimi i fundit i tij është Dinamo-Bylis (5-1).
TEUTA-PARTIZANI
Pajtim Lapi (asnjë ndeshje këtë sezon) do të gjykojë ndeshjen Teuta-Partizani.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 23
07.03.2009, ora 15:00
Tirana-Lushnja
Gjyqtar: Artan Taullau
Faza I: Tirana-Lushnja 1-0
Faza II: Lushnja-Tirana 0-0
Vllaznia-Bylis
Gjyqtar: Enea Jorgji
Faza I: Vllaznia-Bylis 1-0
Faza II: Bylis-Vllaznia 1-2
Dinamo-Apolonia
Gjyqtar: Albano Janku
Faza I: Apolonia-Dinamo 0-2
Faza II: Dinamo-Apolonia 3-2
Shkumbini-Flamurtari
Gjyqtar: Kridens Meta
Faza I: Flamurtari-Shkumbini 0-0
Faza II: Shkumbini-Flamurtari 2-1
Besa-Elbasani
Gjyqtar: Edvin Hoxha
Faza I: Besa-Elbasani 1-0
Faza II: Elbasani-Besa 0-1
Teuta-Partizani
Gjyqtar: Pajtim Lapi
Faza I: Teuta-Partizani 0-0
Faza II: Partizani-Teuta 0-0
7 Mars 2009