E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfime Parisit nga komunizmi

Lajmi se kujtimet e At Zef Pllumit do të lexohen nesër në Shtëpinë e Orientit në Paris i prin prezantimit që Odile Daniel, përkthyesja në frëngjishte e veprës së françeskanit do të bëjë më 25 shtator në Tiranë, një vit pas vdekjes

Më 4 shtator, nesër, në Shtëpinë e Evropës dhe të Orientit në Paris, në takimet e së enjtes, në orën 19.00, bëhet prezantimi i nr. 4 të revistës “Në Jug të Lindjes”, revistë mbi kulturat e Ballkanit. Shqipëria, edhe Kosova, përfaqësohet me autorë në fushën e letrave, e teatrit dhe të arteve pamore. “Duke qartësuar disa paragjykime në konceptet tona evropiane, duke qenë të vëmendshëm ndaj fjalëve dhe imazheve që na vijnë nga Evropa Juglindore, kjo është padyshim një mënyrë e re për të dalë nga çarja qendër-periferi që tinëzare është fiksuar në rrënojat e lashta të kufijve lindje-perëndim”- thuhet në editorialin e numrit të fundit të “Au Sud de l’Est”, revistë me 192 faqe.

I quajturi “Ballkani imagjinar” prezantohet me artistë bashkëkohorë të pas vitit 1989, si Dan Perjovschi, Biljana Djurdjevic, Uro Djuric, Milica Tomic, Matei Bejenaru dhe dy shqiptarë njëri i Kosovës Sislej Xhafa, tjetri i Shqipërisë Adrian Paci, por dy emra që kanë kapërcyer kufijtë e ngushtë të artit që identifikohet me origjinën e kombësisë. Këta, sipas “Jugut të Lindjes” janë artistë që kanë kontribuar për “përtëritjen në thellësi të estetikës, si shkatërrim i strukturave të vjetra politike dhe sociale duke imponuar krijimin e formave të reja artistike”.

Në takimin e nesërm që prezanton këtë orientim të artit pamor në vendet e Evropës Juglindore pas vitit të rëndësishëm historik 1989, marrin pjesë Cristina Passima, artiste pamore dhe këshilltare për këtë fushë të artit pranë Ministrisë rumune të Kulturës si dhe, Anne Madelain, kryeredaktore e revistës “Në Jugtë Lindjes”.

Leximet nga njëmbëdhjetë poetë mesdhetarë është në programin e ditës së nesërme tre poetë shqiptarë Arian Leka, Bardhyl Londo dhe Agim Gjakova si dheStanislava Gavrilovic, Sibila Petlevski, Demosthene Agrafiotis, Bogomil Gjuzel, Eftim Kletnikov, Jevrem Brkovic, Milutin Petrovic, Dusko Novakovic, poetë nga rajoni një pjesë e të cilëve të njohur në Shqipëri nëpërmjet përkthimeve dhe leximeve në festivalin e poezisë “Poeteka”.

Në takimet e nesërme i është lënë vend njohjes me përkthimet e reja të disidentit çek Vaclav Havel. Janë “Një flutur mbi brirth” dhe “Ëngjëlli mbrojtës” të përkthyera nga çekishtja.

Në pjesën e mbrëmjes të quajtur “Kujtime nga periudha komuniste” ka një surprizë për shqiptarët. Prezantimi më të zymtës periudhë të shekullit të njëzetë për popullin shqiptar, i diktaturës komuniste bëhet me një vepër që e ka rrokur prej brirësh atë kohë: me “Ditarin e At Zef Pllumit nga Shqipëria”, siç njoftohet në programin e 4 shtatorit nga Shtëpia e Evropës dhe e Orientit. Përveçse nga Shqipëria komuniste jepet edhe tablo e jetës së përditshme në Bullgarinë socialiste. Tekstet do të lexohen nga Sarah Perrin, Julia Douny dhe Bernard Smajda, nën drejtimin Milos Lazinit.

Kështu ky është leximi i parë në publik që bëhet nga vepra e At Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue” në gjuhën frënge. Deri tani dihet që Odile Daniel studiuesja e përkushtuar e botës dhe kulturës shqiptare, pranë Institutit Kombëtar të Gjuhëve Orientale në Paris (Inalco), ka përkthyer dy vëllimet e trilogjisë.

Daniel është përkthyese e letërsisë shqipe dhe autore e disa librave me karakter albanologjik “Kombi dhe feja në Shqipëri”, 1989, “Shqipëria, një bibliografi historike” 1985, “Roli historik i komunitetit mysliman në Shqipëri”. Mbi këtë njohje që ajo ka krijuar duke përkthyer At Zef Pllumin dhe nga takimet personale me të, Daniel do të referojë në konferencën që do të mbahet më 25 shtator në Tiranë. Atë ditë ajo është një nga shumë të ardhurit nga larg për të përkujtuar në njëvjetorin e vdekjes atin e rezistencës së burgjeve dhe kampeve të punës së detyruar të diktaturës.

Shtëpia e Evropës dhe e Orientit vazhdon më 8 shtator “pelegrinazhin” në botën e kulturës së Evropës Lindore me një mbrëmje homazh kushtuar Tchinghiz Ajtmatov, shkrimtari rus me origjinë kirgize që u shua më 10 qershor 2008, dhe që sot konsiderohet si një ndër autorët më të lexuar në botë, dhe një nga më përfaqësuesit dhe më prestigjiozët e letërsisë sovjetike.

Kaq për takimet e gjalla. Kurse nëpërmjet të quajturit “Operacioni extra-communautaires” ofrohet nga botimet “L’Espace d'un instant” një koleksion me drama nga Bjellorusia, Çeçenia, Azerbajxhani, Armenia, Turqia, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnjë Hercegovina, Kroacia, Serbia, Moldavia, Kosova e cila ka mundësi të përfaqësohet me damaturgun Jeton Neziraj, kurse Shqipëria me Stefan Çapalikun. Ky operacion propozon njohjen e pjesëve për teatër dhe të autorëve të vendeve jashtë BE-së, me rastin e presidencës franceze të Bashkimit Evropian. Siç thuhet në editorialin e revistës “Në Jug të Lindjes” duke qenë më të vëmendshëm ndaj vendeve si “Rumania, Bullgaria dhe Shqipëria, dëshmitë dhe kujtimet e jetës së përditshme nën komunizëm, do të pasuronin refleksionet aktuale franceze për majin e vitit 68.”

Maison d’Europe et d’Orient është një qendër kulturore për Evropën e Lindjes dhe Azinë Qendore, kryesisht e financuar nga Agjencia Nacionale për Bashkim Social dhe Shanse të Barabarta, Ministria e Kulturës etj.

Thënie e ditës

“Shkolla: një serë ku mësohen egërsia dhe pallavrat e të tjerëve.”

Nga “Fundi i fëminisë” i Alice Parizeau

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›