E Diel, 1 Nëntor 2026

Përshtypjet e mia prej provincialeje në Tiranë

Zhurmë gjeneratorësh, zhurmë nga ndërtimet, zhurmë nga pompat e ujit, nga thashethemet, politika, nga shpërthimet e nga fushatat. Sa shumë zhurmë!

Tirana, ky kantier i madh ndërtimi, ky kazan i madh vlimi, vend i njerëzve të punës e dhunës, vendi i politikës sonë të famshme po zhurmon. Çfarë s`mbart brenda Tirana jonë: sidomos njerëz të thjeshtë që ecin ngeshëm nën peshën e halleve, të bezdisur në kulm nga gjithë këto zhurma... E gjithë kjo potere ordinere nis që në agim si një prelud i një dite të ngarkuar e mbaron në mbrëmje, me pëshpërimën "Oh, na zunë veshët pak qetësi!".

Sa pak ajër i pastër, sa pak gjelbërim, një qytet që përpëlitet nën zhurma, nën pluhur, nën rrëmujë e korrupsion. Yyy!... Çfarë nuk gjen në Tiranë: njerëz të nderuar e të kulturuar, që rendin e rendin në kërkim të së përditshmes. Le pastaj në këto ditë?! Radha nëpër librari, radha për të regjistruar fëmijët nëpër kopshte, nëpër shkolla, nëpër ambasada, radha për të marrë një certifikatë, etj. Po na kishte marrë malli për radhat bre! Oh, sa rrëmujë, oh sa shumë zhurmë!

Pse vallë, kjo është jeta në Tiranë?! Si lum në provincialët për këtë qetësi që kemi dhe që nuk e vlerësojmë! Por dhe neve të gjorëve na rroftë qetësia së këtu s`e shikon: na, vu puna! Por së paku, në sedentojmë në oazin e provincialitetit, të lumtur së shkollën ja ku e kemi, po spitali ja ku është, po bashkinë e kemi sa shtrin krahun, duke harruar faktin e thjeshtë që prokuroria na iku, zyrat kadastrale na ikën, gjykata po ashtu, ehu..........dmth kuptojeni vetë.

Ej, po edhe ne ngjajmë pak me Tiranën, se të njëjtën qeveri kemi, të njëjtën rritje çmimesh përjetojmë. (Ç’ke me çmimet ti?).

Epo, tek e fundit, a s’jemi ne të Tiranës e Tirana, a s`është e jona?! Se s`duhet harruar që pjesa më e mirë e jona joshet nga Tirana, e ç`është më e keqja, pas 2 a 3 vitesh po t`i pyesësh, ta mohojnë faktin e origjinës, e ti s`ke nga ta kapësh, se gjuhën e ka spërdredhur, ecjen e ka ndryshuar e ndrojtjen e ka hedhur pas krahëve. Epo tani është tiranas, e s`do ta dëgjojë atë epitetin që ia thonë sa herë që e shohin, malok e Bathore.

"E kujt i plasi, se mos e pati për mua!".

Po, punë e madhe, se këto janë të përditshme, se, ej... ka edhe zhurma që bëjnë buuuuuuuuum, e pastaj shuhen aq shpejt, sa ne të gjorët themi me vete: "Mor po, gjëmoi gjë apo na bënë veshët?!". U bë zhurmë për dosjet e u sfumua, u bë zhurmë për armët e u harrua, për tokat, për llafet e ndyra që Kryeministri ynë llomotiti në Parlament, e tani po dëgjojmë edhe zhurmën që po bëhet për Metën e Ramën. (Do bashkohen a s`do bashkohen, do puthen a s`do puthen?).

Epo, le të bashkohen e të na trashëgohen!… Shihni Cekën, Gjinushin e Milon, që s`e kanë problem këtë punë, martohen e divorcohen sa herë që kanë qejf!

Këto pra janë zhurma, e jo zhurmat që bëjmë ne, se ne as zhurmë s`dimë të bëjmë e as pare s`mund të mbledhim!

Ne, veç Zoti na ruajt se për këtë qeveri që kemi, lumi na merr e s`dihet ku na çon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›