Duro: “E kam “fshehur” një gol për Holandën”

Mesfushori i Tiranës, Klodian Duro, është një nga ata që ka dhënë maksimumin në ndeshjet ndërkombëtare, madje më cilësitë dhe atë që ka prodhuar në fushë, i ka bindur gjithmonë trajnerët për aftësitë e tij, si gjermanin Hans Peter Brigel, ashtu dhe kroatin më përvojë Oto Baric. 29-vjecari Duro, ishte autori i golit të tretë në ndeshjen miqësore me Maltën të fituar nga përfaqësuesja jonë 3-0, një gol i realizuar nga një distancë prej 28 metrash.
Ish-mesfushori i Elbasanit, Vllaznisë, Partizanit dhe tashmë në forcë prej dy sezonesh me Tirana, ka një eksperiencë të madhe ndërkombëtare në radhët e katër ekipeve turke (Gallatasaraj, Samsunspor, Malatiaspor, Caykur Rizespor) dhe në Gjermani me Arminia Bielfeld. Duro, i cili luan që nga viti 2002 me përfaqësuesen kuqezi dhe ishte pjesë formacionit që mundi Greqinë (2-1), më 4 shtator 2004, shprehet i bindur se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të arritur një rezultat pozitiv. "Po të luajmë si bllok, edhe mund të shpresojmë në një fitore me Holandën. A nuk ndodhi edhe me kampionen e Europës, Greqinë, kështu". Duro ka zhvilluar 40 ndeshje zyrtare dhe një numër të madh miqësoresh. Mesfushori ka shënuar një gol kundër Rusisë të humbur 4-1, në ndeshjen e 16 tetorit të vitit 2002, që solli edhe largimin e trajnerit italian Xhuzepe Dosena.
Duro, specialistët por dhe trajnerët gjithmonë kanë evidentuar kontributin tënd në ndeshjet ndërkombëtare, madje në ato të rëndësishmet jo pak herë kenë qenë një ndër aktorët më të mirë në fushën e gjelbër.
- Do të dëshiroja të ishte edhe me Holandën kështu. Unë do të mundohem të jap më të mirën në fushën e lojës. Ekipi Kombëtar për nga rëndësia, jo vetëm për mua, por për të gjithë lojtarët është i vecantë, pasi përfaqësohet kombi ynë, aq me tëpër kur përballë kemi një kundërshtar me vlera botërore, sic Holanda.
Sa i përgatitur është një ndër mesfushorët më të spikatur të kampionatit shqiptar për ta përballuar këtë sfidë?
Ndihem 100 për qind për sa i përket formës dhe treguesve fizikë, pavarësisht se është fillimi i sezonit në Shqipëri. Të gjithë këtë energji dëshiroj ta vë në dispozicion të ekipit.
Në ambientin kuqezi dhe te sportdashësit ëndërrohet të paktën një barazim. Një pyetje më e drejtpërdrejtë, a kemi forca për ta mundur Holandën?
Në futboll ndeshja nis me një rezultat të barabartë dhe është normale që të besojmë se ekzistojnë të paktën teorikisht shanset dhe për ta fituar një takim. E rëndësishme është që të japim maksimumin dhe të japim gjithcka nga bagazhi ynë. Unë mendoj se ekipi Kombëtar i ka të gjitha mundësitë për të bërë lojë të mirë dhe pse jo të marrë një rezultat të mirë.
Klodi, ti ke qenë pjesë e formacionit të Shqipërisë në fitoren e madhe kundër Greqisë, kampiones së Europës, madje dole edhe i dëmtuar me barelë nga fusha?
Edhe unë prandaj e shpreh këtë optimizëm real, pasi edhe e kaluara jonë ka prodhuar ndeshje dhe rezultate të mëdha në vitet e fundit, ku edhe unë kam qenë pjesë e kësaj Kombëtareje. Duke dhënë maksimumin, madje edhe shpirtin në fushë, i kemi mundësitë reale për të dhënë një befasi të re.
Trajneri Baric ka theksuar se do të luajë me pesë mesfushorë kundër Holandës me skemën 4-5-1. Duke parë edhe kontingjentin dhe gjendjen e lojtarëve pa dyshim që do të kishte edhe një vend për Duron. Sa efikase mund të jetë kjo skemë?
Përvec faktit se me këtë skemë ne kemi luajtur edhe kundër Bullgarisë dhe kemi marrë atë pikë të madhe e të rëndësishme, pavarësisht barazimit me Bjellorusinë dhe fitores me Luksemburgut, bashkohem me zgjidhjen e Baricit. Unë do të shtoja se edhe pse pritet të luajmë me një mesfushë të ngjeshur dhe me një sulmues të deklaruar i kemi të gjitha aftësitë për të goditur portën holandeze.
Keni shënuar golin e vetëm kundër Rusisë në humbjen 4-1, në Vollgograd. Shënuat një gol të mrekullueshëm në ndeshjen miqësore ndaj Maltës. A e ka të "fshehur nën mëngë" Duro një gol për Holandën?
Unë si Klodian, i kam të gjitha mundësitë për të dhënë maksimumin, pse jo edhe për të hyrë në historinë e ndeshjes duke shënuar edhe gol, ashtu sic bëra kundër Maltës dy javë më parë, që nuk do të ishte vetëm një dëshirë. Besoj se kësaj radhe më jepet edhe mundësia të luaj në rolin tim natyral. Mua më pëlqejnë ndeshjet e forta, dhe në ato kam dhënë maksimumin duke ndjerë edhe një kënaqësi të vecantë.
Intervistoi: Dash Frashëri
Golat
Kundër Rusisë
Duro ka zhvilluar 40 ndeshje zyrtare dhe një numër të madh miqësoresh. Mesfushori ka shënuar një gol kundër Rusisë të humbur 4-1, në ndeshjen e 16 tetorit të vitit 2002, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2004, që solli edhe largimin e papritur të trajnerit italian Xhuzepe Dosena nga bankina shqiptare.
Kundër Maltës
Mesfushori 29-vjecar ishte autori i golit të tretë në ndeshjen miqësore me Maltën të fituar nga përfaqësuesja jonë 3-0, një gol i realizuar nga një distancë prej 28 metrash, që u konsiderua nga specialistërt edhe si më i bukuri i takimit. Futbollisti i Tiranës në kampionatin shqiptar dallohet për finesën e tij në lojë.